Shpresa Bajraktari: Mos luani me ndjenjat e popullit

Mos prekni historinë, traditat dhe simbolet kombëtare që personifikojnë identitetin tonë shqiptar.

Ka ditë që mediat dhe rrjetet sociale ziejnë me të drejtë për ligjin e barazisë gjinore, apo edhe mozaikun që është deformuar, i cili ka simbolizuar dhe simbolizon përpjekjet e luftës së popullit tonë ndër shekuj, si dhe historinë e derdhur në art.

Të heqësh dorë nga simbolet kombëtare do të thotë të përdhosen traditat, kultura, të deformohet dhe të mohohet historia jonë e lavdishme kombëtare.
Me të drejtë populli revoltohet për këto akte të papërgjegjshme dhe të qëllimshme që bëhen. Jo vetëm për të deformuar historinë e lavdishme të popullit tonë ndër shekuj, por njëkohësisht edhe për të matur pulsin e qytetarëve të ndershëm shqiptarë.

Mozaiku i vendosur në balloren e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është punuar nga artistët më të mirë shqiptarë, të cilët me mjeshtëri artistike kanë gdhendur etapat historike të luftës së popullit shqiptar, duke filluar që nga Iliria me shpata dhe harqe, si dhe duke paraqitur Epopesë së Lavdishme të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, e cila simbolizohet me femrën shqiptare partizane me pushkë në dorë; apo femrën me xhubletë, që simbolizon traditat e bukura shqiptare.

Mozaiku në përgjithësi, me të gjitha figurat e paraqitura në të, simbolizon Nënën Shqipëri.
Këto figura të paraqitura në mozaik janë simbolet e historisë sonë kombëtare, për të cilat populli shqiptar është krenar dhe do të jetë gjithnjë mirënjohës.

Të deformohet figura e femrës shqiptare duke ia qethur kokën, gjoja për të sensibilizuar opinionin si shenjë se ajo bëhet në emër të kauzës kundër kancerit të gjirit…
Kjo nuk është e pranueshme.

Jo, zotërinj! Asnjë kauzë nuk e justifikon dhe nuk ju lejon të deformoni historinë e lavdishme të popullit tonë.
Ka plot mjete dhe forma të ndryshme për të realizuar kauzat tuaja, por edhe për to duhet vullnet i mirë.

E dyta, ju që deformoni artin e dikujt tjetër, kush ju lejon?!
Ai art nuk ka vlerë vetëm për historikun dhe rëndësinë e tij, por është realizuar nga artistët më të mirë të Shqipërisë, të cilët nuk do të jenë kurrë dakord që të deformoni veprën e tyre, pasi ato punime janë bërë me mjeshtëri artistike dhe përbëjnë trashëgimi kulturore, artistike dhe historike.
Prandaj nuk pranojnë deformime apo ndryshime.

Edhe në botë, kur bëhen restaurime të artit, punimet e artistëve të mëparshëm ruhen të paprekura, si relikte artistike dhe historike të kombit të tyre.

Prandaj, zotërinj, përpiquni të mësoni nga përvojat pozitive që lidhen me identitetin kombëtar.

Si një qytetare e thjeshtë, ju bëj thirrje:
Mos cenoni simbolet kombëtare, si dhe historinë e lavdishme të kombit shqiptar, pasi po luani me ndjenjat e popullit shqiptar, që kurrë nuk do t’ju lejojë!

Shpresa Bajraktari

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

Ylli Mece: NËNDORI I FESTAVE DHE KORI I QYQEVE TË NEOBALLISTËVE

Ka më se mbi tre dekada, që në arenën mbarë shqiptare, madje dhe jashtë trojeve …