Nëntë muaj luftë gjelash midis partive politike (bosëve të tyre) për t’i bindur kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës se sa konsekuentë (kokëfortë) janë në qëndrimet e tyre “parimore”, në fakt sharlataneske për të mos i krijuar institucionet qendërore të Republikës!!
Janë po ata gjela që nuk patën asnjë mosmarrëveshje a kundërshtim për sistemin zgjedhor, të panjohur në botë: NJË QYTETAR 10 VOTA!! Amerikani, kinezi, japonezi, francezi, gjermani, italiani, turku… ka NJË VOTË, kurse shqiptari në Republikën e Kosovës ka 10 VOTA!!
Me këtë sistem zgjedhor procesi dhe rezultati zgjedhor është i MANIPULUESHËM dhe i KORRUPTUESHËM në çdo fazë e në çdo hallkë të tij… Kjo është arsyeja pse partitë politike, bosët e tyre, u pajtuan pa ndërruar asnjë fjalë të vetme (asnjë fjalë s’u shpëtoi nga goja!) me këtë mënyrë votimi: NJË QYTETAR 10 VOTA!!
Nuk pati reagime as nga shoqëria civile e varur dhe e përdorur nga politika vendore dhe e huaj (fondet!). Reagime dhe as një debat të vetëm nuk pati as nga mediat e korruptuara nga politika dhe nga fondet e huaja!! Sistemi zgjedhor ka ndikim vendimtar dhe përcaktues në kualitetin dhe në vet rezultatin e zgjedhjeve, nga të cilat krijohen institucionet qendërore të Republikës. Të mos ketë një fjalë të vetme, të mos ketë debate, takime, përplasje midis partive politike në Kuvend, në komisione, në media, me qytetarët, etj. për sistemin zgjedhor, që në shkallë të madhe përcakton cilësinë e zgjedhjeve dhe të vet produktit të tyre, institucioneve shtetërore, është fyese për qytetarët dhe dhunim i demokracisë, i vlerave të saj themelore! Interesante është edhe heshtja dhe pajtimi me këtë sistem zgjedhor i “ndërkombëtarëve”!!
Ky fakt tregon sa e madhe është kapja e partive politike, e mediave dhe e shoqërisë civile!! Kjo mënyrë e zgjedhjeve të përgjithshme u mundëson partive (bosëve dhe tarafeve të tyre) ta kontrollojnë procesin zgjedhor dhe rezultatin e zgjedhjeve.
Ky sistem zgjedhor po degjeneron edhe vet partitë politike. Me këtë mënyrë zgjedhore (një qytetar 10 vota, Kosova një zonë zgjedhore…) gara zgjedhore merr edhe dimensionin e garës së ulët brenda llojit, brenda partive (ndërmjet kandidatëve të së njëjtës parti!)…
Nga ky sistem zgjedhor e fituar del vetëm Lista Serbe (Serbia), e cila e ka të shtruar rrugën për koncentrimin e votës së pakicës serbe për vete dhe eliminimin e partive tjera të kësaj pakice…
Edhe tash që u shpallën zgjedhjet, pas një beteje gjelash që zgjati 9 muaj dhe përfundoi pa fitues, nuk dëgjuam ta ketë përmendur dikush sistemin zgjedhor dhe defektet e tij të rënda! Defekte që cenojnë demokracinë dhe vlerën e zgjedhjeve, bashkë me të drejtën dhe lirinë për t’u zgjedhur e për të zgjedhur!! Viktima nga të gjitha partitë do të jenë një pjesë e deputetëve që mund të kenë hy në listat e të padëshiruarëve gjatë kësaj beteje 9 mujore…
Kjo mënyrë e zgjedhjeve nuk garanton dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve, por të bosëve dhe të grupeve që kanë kapur dhe i kontrollojnë partitë politike! Partitë, si këto në Prishtinë, që nuk organizojnë proces zgjedhor dhe garë fer nuk kanë si të jenë të interesuara për proces dhe garë fer në zgjedhjet e përgjithshme!
Zgjedhjet që do të mbahen në fund të dhjetorit do të jenë asgjë më shumë se farsa – mashtrimi i radhës. Edhe rezultati ose produkti i tyre do të jetë një tufë deputetësh të depersonalizuar dhe të kontrolluar nga barinjtë e tyre, bosët e partive…
Ata që besojnë akoma në zgjedhje të lira e të ndershme dhe ata që nuk janë shndërruar në skllevër të verbër të partive (nëse ka mbetur ndonjë në këto partitë ekzistuese) duhet të këmbëngulin, të angazhohen e të luftojnë për një sistem zgjedhor që garanton të drejtën dhe shprehjen e lirë dhe pacenueshmërinë e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës, në zgjedhjet vendore, por edhe proces e garë të ndershme në zgjedhjet brenda partive të tyre… Mbrojtja e votës së lirë e të pacenueshme dhe angazhimi për një proces të rregulltë, të drejtë e demokratik zgjedhor që shpreh vullnetin qytetar është detyrim qytetar e kombëtar….
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
