Raporti i KE-së 2025, Klasteri I: Dështim në sundimin e ligjit dhe mungesë financimi për gjyqësorin e prokurorinë

Sot Bashkimi Demokratik për Integrim paraqitet para jush për të adresuar publikisht gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2025 – raport i cili, për Grup-Kapitullin e parë “Fundamentals”, përmban kritikat më serioze që ka marrë Maqedonia e Veriut në vitet e fundit.
Ky klaster është thelbi i negociatave me Bashkimin Evropian. Ai përfshin demokracinë, sundimin e ligjit, administratën publike, ekonominë dhe prokurimet publike. Pa ecuri në këto fusha, nuk ka negociata, nuk ka kapituj të rinj, nuk ka përparim drejt BE-së.
Për fat të keq, raporti konfirmon se qeveria aktuale ka dështuar pothuajse në të gjitha standardet themelore evropiane, duke e futur procesin integrues në bllokadën më të thellë që ka përjetuar vendi ynë.
1. Sundimi i ligjit – Regres i rrezikshëm
Komisioni Evropian konstaton qartë:
• Nuk ka pasur asnjë përparim në pavarësinë e gjyqësorit.
• Ndikimi politik në gjyqësor është rritur.
• Ndërhyrjet në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorisë janë të dokumentuara.
• Rekomandimet e viteve të kaluara janë lënë pothuajse të gjitha të pazbatuara.
Ky është një mesazh tepër i rëndë për çdo vend që pretendon të hapë negociata serioze me BE-në.
2. Lufta kundër korrupsionit – Zero rezultate
Sipas BE-së:
• Korrupsioni mbetet i përhapur.
• Rastet e profilit të lartë nuk përfundojnë kurrë.
• Institucionet anti-korrupsion janë të dobëta dhe joefikase.
• Ngjarjet tragjike të vitit 2025 janë dëshmi e mosfunksionimit të thellë të shtetit.
Kjo përbën dështim total të qeverisë për të garantuar llogaridhënie dhe integritet institucional.
3. Liria e mediave dhe të drejtat themelore – Përkeqësim i dukshëm
Raporti thekson se:
• Gazetarët nuk mbrohen nga presionet.
• Liria e mediave është dobësuar.
• Transparenca e pronësisë së mediave mbetet problem serioz.
• Institucionet që mbrojnë të drejtat e qytetarëve – përfshirë Avokatin e Popullit – janë të dobësuara ose të pazgjedhura.
Kjo është alarmuese për demokracinë dhe liritë themelore.
4. Administrata publike – Bllokadë dhe politizim
Komisioni kritikon:
• Politizimin drastik të administratës.
• Kuadrin ligjor të fragmentuar.
• Ligjet e miratuara që nuk zbatohen.
• Reformat e ngecura dhe rekomandimet e paplotësuara nga viti i kaluar.
Pa një administratë profesionale dhe të depolitizuar, nuk ka reforma reale.
5. Ekonomia – Pa stabilitet, pa reforma
Raporti thekson:
• Mungesë disipline fiskale.
• Projekte kapitale të pashfrytëzuara.
• Rritje të informalitetit.
• Moszbatim të rekomandimeve të Planit të Rritjes.
Kjo e vendos ekonominë e vendit në rrezik afatgjatë.
Mesazhi kryesor i BE-së është i qartë dhe i prerë:
Maqedonia e Veriut nuk mund të hapë kapituj të tjerë pa zgjidhjen e problemeve themelore.
Mosmarrja e hapave për ndryshimet kushtetuese dhe ngecja në reformat demokratike e juridike kanë ngrirë faktikisht procesin e negociatave.
Raporti është një alarm i kuq institucional. Ai dëshmon se qeveria aktuale ka humbur drejtimin strategjik të shtetit dhe ka rrezikuar seriozisht rrugën tonë evropiane.
Ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara dhe po konsolidojnë sundimin e ligjit, Maqedonia e Veriut po ngec në vend – dhe kjo po e largon vendin tonë nga shtetet që realisht po afrohen me BE-në.
BDI kërkon:
1.Zhbllokimin e menjëhershëm të reformave në sundimin e ligjit.
Vendit i duhet drejtësi funksionale, jo drejtësi e kontrolluar politikisht.
2.Harmonizimin e menjëhershëm e buxhetit të gjyqësorit dhe Prokurorisë Publike me vlerësimet e Komisionit Evropian, duke e ngjitur financimin në nivelin e përcaktuar me ligj, 0,8% të BPV për gjyqësorin dhe 0,4% të buxhetit të vendit për prokurorinë.
3.Përforcimin e autonomisë financiare të organeve gjyqësore, që ato të mos varen nga vendimmarrje të karakterit politik.
4.Miratimin pa vonesa të ndryshimeve kushtetuese.
Pa këtë hap, negociatat mbeten të ngrira.
5.Depolitizimin e administratës dhe forcimin e institucioneve të pavarura.
6.Zbatim të plotë dhe të shpejtë të rekomandimeve të BE-së për Kapitullin e Parë.
E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk mund të mbahet peng nga dështimet e qeverisë aktuale.
BDI mbetet e përkushtuar në mënyrë të palëkundur ndaj kursit euro-atlantik dhe ndaj zbatimit të reformave që kërkon Bashkimi Evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Mr.Ali Hertica

Ali Hertica: Kosova në kohë nën dritë

Humanizmi shpreh thellë besimin dhe mundësitë e arsyes, të cilat lënë përshtypje të fuqishme. Njëkohësisht, …