Një portret i shkurtër në këndvështrimin socialpsikologjik
E kam njohur Avni Ponarin në konviktin e Bajram Currit. Ai ishte në klasën e pestë, kurse unë isha në gjimnaz. Ai dallonte nga bashkëmoshatarët nga shtatlartësia, nga inteligjenca dhe sjellja e komunikimi me njerëzit. Vinte nga lagjja Ponaraj e T’Planit, nga më të vjetrat e Tropojës, atje ku bashkohej Drini me Valbonën, nga një familje atdhetare, bujare, fisnike dhe e kamur. Kishte qenë bazë e LANÇ dhe kishte mbajtur partizanë në ditët e vështira të Operacionit Nazist në shkurt të vitit 1944. Zoti dhe natyra i kishin falur gjithçka: lumin, fushën, dhe malin. Unë ika në shkollë të lartë, kurse ai vazhdoi gjimnazin. Takoheshim më rrallë, por e ruajtëm miqësinë. Avniu mbaroi Shkollën e Marinës në Vlorë dhe u caktua në Bazën Ushtarake Detare të Shëngjinit. Më vonë ai mbaroi Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës. Në Lezhë shkoja shpesh me pushime, por edhe pse atje kisha dajën, djemtë e xhaxhallarëve, bile njëri prej tyre punonte bashkë me Avniun. Pra, m’u dha rasti ta takoja përsëri e të pija kafe me të në Lezhë. Rasti e solli që djali i tij, Elvisi të ishte nxënës i imi, në gjimnazin Petro Nini Luarasi në Tiranë. Mësonte, ishte i edukuar dhe shumë komunikues dhe miqësor. Studimet e larta i përfundoi në Angli. Gjatë kësaj kohe, Avniu na ndihmoi me sponsorizimin e disa veprimtarive në shkollë. Edhe në vitet në vazhdim takoheshim, pinim kafe, shkëmbenim përshëndetje, kudo ku takoheshim. Më sponsorizoi edhe librin “164 pyetje për dashurinë”. Në festën e 60 – vjetorit të gjimnazit Asim Vokshi në Bajram Curr patëm rastin të rrinim më gjatë e të kujtonim me nostalgji vitet e kaluara në konvikt. Avniu ndihmoi në restaurimin e gjimnazit, me pajisjen me bazën didaktike dhe ishte sponsori i drekës me mbi 500 vetë.
- Biznesmen i suksesshëm
Është themeluesi dhe Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL Insurance Group sh.a, është themelues dhe Kryetar i Bordit Menaxhues të SIGAL LIFE Kosovë, Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të SIGAL Non Life Maqedonia e Veriut. Mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm që prej 22 shkurtit 1999. Drejtues dhe aksioner i tetë kompanive të Grupit, është President i Dhomës së Tregtisë e Industrisë Shqipëri-Japoni, President i Federatës së Basketbollit, President i “Toyota Albania”, themelues i Shoqatës së Sigurimeve Shqiptare të Marinës.
Kompania që ai drejton është lider dhe e suksesshme në tregun e sigurimeve në Shqipëri e në Rajon, me ndikim pozitiv në zhvillimet e jetës ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit. Një profesionist i mirëfilltë i sigurimeve, njeri i suksesshëm, por edhe me vlera.
Sponsorizues i shumë veprimtarive brenda dhe jashtë vendit. Mbështetja e tij financiare, me një milionë dollarë për ekipin e meshkujve të Valbonës në basketboll, i siguroi këtij ekipi titullin Kampion Kombëtar për pesë vjet. Ka financuar në shumën 1.3 milionë euro për ekipin e basketbollit meshkuj të Prishtinës. Po kështu ka financuar ekipin e basketbollit femra të Flamurtarit.
Ka bërë rikonstruksionin e shkollave në Vërtop, Lukovë, Lybeshkë dhe të shkollës së mesme në Fierzë. Këtë të fundit e ka pajisur edhe me kompjutera. Ka dhënë mbështetje financiare për Festivalin Ndërkombëtar të Gjirokastrës, pës Festivalin Ndërkombëtar të Vokalit Operistik “Marie Kraja” dhe është kontributor i prurjes së armëve të Skënderbeut në Shqipëri në 100-vjetorin e pavarësisë. Ka sponsorizuar disa veprimtari me karakter atdhetar për Shoqatën e Veteranëve të Tropojës dhe për botimin e shumë librave. Për të gjitha këto ai ka marrë titullin “Qytetar Nderi” në Tropojë, Durrës dhe Elbasan. Është dekoruar nga Perandori i Japonisë, Presidenti i Austrisë, ka dekoratën “Grand Decoration of Honour” nga shteti i Austrisë, është nderuar me Çmimin “Grand Excellence 2023”. Është shpallur “Personalitet i Vitit”, nga gazeta Telegraf, “Biznesmen i Vitit” nga gazeta Koha jonë, Profili Ndërkombëtar i Drejtuesve më të mirë, ka marrë Çmimin “Justiniani i Madh” nga AMSh, si Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri.
- I besueshëm në treg, transparent dhe i vendosur për t’i realizuar objektivat dhe qëllimet e tij
Pedagogë, sociologë dhe psikologë kanë shtruar pyetjen: Duke përdorur njohuritë për ndryshimin më intensivisht dhe në mënyrë më të plotë, a mund të përshpejtojmë procesin e ndryshimit të suksesshëm? Ndryshimi është një proces dinamik, i cili përfshin shumë elementë që ndërveprojnë më njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Pa procesin e ndryshimit do të zhvillohet një shoqëri statike, një biznes monoton, pa të ardhme. Ndryshimi mund të ndodhë, sepse na imponohet (reformat) ose se ne marrim pjesë në të vullnetarisht, ose e fillojmë ndryshimin kur ndeshim në pakënaqësi, mospërputhje, ose në gjëra që nuk durohen në gjendjen tonë të tanishme. Të gjitha këto kanë ndodhur me Avni Ponarin. Reforma e nxori të papunë. Edhe vetë kishte dëshirë të shkëputej nga marrja e një rroge sa për të mbajtur frymën. Ishte i pakënaqur me realitetin shqiptar që kur udhëtoi për herë të parë në Maltë me anije dhe pa botën e lirë. Këtë e shpreh edhe në një intervistë: “Doja të ikja nga Shqipëria, por nuk më la babai. Më vuri kushtin: “Po ike ti, po ikim bashkë!”
Boshti i ndryshimit qendron në mënyrën se si e përballon secili realitetin. Avni Ponari e përballoi. Hyri me guxim në ekonominë e tregut, punoi fort dhe u bë lider në fushën e sigurimeve. Përsëritja e një veprimi e kthen atë në shprehi. Shprehitë janë ato që krijojnë karakterin tonë. Karakteri jonë është edhe fati jonë. Avni Ponari tregoi karakter të fortë. Edhe fati e ndoqi pas….
Ndryshimi i suksesshëm sjell një ndjenjë zotërimi, arritjeje dhe zhvillimi profesional. Rruga që ndoqi Avni Ponari na përcjell mesazhin: “Mëso të jetosh me ndryshimin!”
Suksesi nënkupton të fitosh admirim, lidership, respekt. Suksesi do të thotë vetërespekt, të gjesh lumturi me ato që bën, të jesh i aftë të bësh gjëra që varen nga ti. Suksesi është i lidhur me besimin, i cili nxit mendjen të bëjë më shpejt e më mirë gjërat. Fuqia e besimit zhvillohet:
- Kur mendon sukses dhe jo dështim.
- Kur ia kujton vetes se je më i mirë se mendon se je.
- Kur beson në përmasa të mëdha.
Besojnë klientët te SIGAL, besojnë se u jep zgjidhje të shpejta, nuk i sorrollat nga një zyrë në një tjetër, besojnë se ka transparencë, prandaj shkojnë atje. Rritet besimi, rriten aksionet. Vizioni dhe besimi janë të pandara nga njëri-tjetri. Kur njerëzit shohin se ke vizion dhe vendosmëri, të besojnë më shumë. Vizioni është i lidhur me përgatitjet paraprake për të njohur vlerat e tij dhe mundësitë për ta realizuar atë. Vetanaliza e zhvillimit të vizionit personal ndihmon në realizimin në kohë të objektivave kryesore, të cilat i përcakton vetë. Sipas psikologëve vizionet kanë të bëjnë me atë se:
- si mund të kthehen dështimet në mësim,
- frika e dështimit kapërcehet duke siguruar suksese të qendrueshme,
- si mënjanohen vetëkufizimet që ushqehen nga mosbesimi në vetevete,
- guximi ka aftësi magjike për të siguruar suksesin,
- arritja e suksesit është zgjidhja më e mirë e problemeve, sepse hap rrugën për suksese të reja të niveleve gjithnjë e më të larta.
Kur u themelua SIGAL ishin vetëm 5 veta me një kapital 400 mijë dollarë. Në 20-vjetorin e tij numëroheshin 1500 veta, me një kapital prej 35 milionë euro. Në vitet në vazhdim këto shifra rriten. Edhe në raportin që AMFpublikon për 9 mujorin e këtij viti pwr pensionet private: Fondi SIGAL kryeson në vlerë asetesh dhe në numër anëtarësh dhe ka një rritje 11.55%, krahasuar me vitin 2024. Sigurimet janë një domosdoshmëri për të gjithë dhe ndërtojnë liri dhe dinjitet. Me të drejtë Avni Ponari thotë se Shqipëria e ndodhur mes tërmeteve dhe zjarreve është pa kulturë sigurimi. Puna dhe arritjet e tij po ndihmojnë për të realizuar edhe këtë. Pa dyshim që duhet kohë dhe pjesëmarrje aktive e gjithë faktorëve shtetërorë e shoqërorë. Avni Ponari arriti ta blejë sërish Kompaninë e Sigurimeve SIGAL nga austriakët e Uniqa Group.
Përvoja dhe shembujt pozitivë na kanë mësuar se nëse doni të zhvilloni vendosmërinë gjeni një kulturë, ku kultivohet vendosmëria dhe bëhuni pjesë e saj. Avni Ponari është pjesë aktive e saj. I gjendur edhe mes njerëzve të vendosur, veproi me më shumë vendosmëri. Në studimet për perceptimin dhe vlerësimet e të tjerëve, moraliteti mbizotëron në raport me të gjitha aspektet e tjera të personalitetit, i cili ka shumë karakteristika: vetëkontrolli, veçanërisht kur lidhet me rezistencën ndaj tundimeve, aftësitë vëtëmenaxhuese, e përmbledhur në atë që e quajmë “karakter i performancës”. Të tjera mund të përmendim: disiplinën, mirënjohjen, kontrollin mbi emocionet si: zemërimi, kureshtja, gjallëria mendore, të cilat nxitin veprimtarinë aktive. T’u kushtosh vëmendje emocioneve është shpesh mënyra e vetme për të qetësuar stuhinë e tyre emocionale. Avni Ponari në çdo rast e ruan qetësinë, duke treguar ndjeshmëri ndaj emocioneve të të tjerëve. Ai krijon ndjesinë e intimitetit edhe me atë që e takon për herë të parë.
- Jep besim, inspiro guxim, përkushtim, kupto atë që tjetri dëshiron vërtet – janë lajtmotivi i punës dhe sjelljes së tij me njerëzit
Biznesmen i suksesshëm është ai që krijon një standard të caktuar në një sipërmarrje dhe një standard social njerëzor në përputhje me kushtet e vendit. I ka arritur këto me punë gjithë ditën, me organizim dhe me përkushtim. E pohon vetë se drekën e ha te Restoranti i SIGAL. Pushon vetëm ditën e dielë.
Vërejtja e tij se nuk po ndërtojmë klasën e biznesmenëve, sepse ata janë nën akuza të përditshme duhet marrë në konsideratë. Po kështu edhe për klasën e mesme, e cila edhe ajo është nën akuza. Jo të gjithë duhen futur në një thes. Klientët e bëjnë zgjedhjen vetë dhe shkojnë atje, ku ka besueshmëri, transparencë dhe përfitojnë më shumë. Ka edhe biznesmenë që abuzojnë, të korruptuar e të lidhur me krimin. Gjithçka ai e ka arritur me djersën dhe forcat e tij.
Klasa e mesme është produkt i industrializimit dhe i rritjes ekonomike. Në vendet e zhvilluara, si në SHBA, Kinë, Japoni, Gjermani, Britania e Madhe, Itali, Francë, kjo është e madhe në numër. Edhe në disa vende të tjera si në Korenë e Jugut, Brazil, Indi zë një vend të rëndësishëm. Kjo luan një rol të madh në demokratizimin e jetës së një vendi, rol zbutës në konfliktet sociale, i inkurajon partitë demokratike dhe i ndëshkon grupet ekstremiste. Duke raportuar për demonstratat e vitit 1987 kundër regjimit autoritar të Chun-it në Seul, The Economist bënte pyetjen: “Çfarë ndodh kur gazi lotsjellës takohet me klasën e mesme në Seul?” Përgjigja është e thjeshtë: “Gazi lotsjellës zhduket.” Të gjithë jemi dëshmitarë për rritjen e taksave të profesioneve të lira nga qeveria, e cila u detyrua të tërhiqet. Kjo ishte një goditje për klasën e mesme, e cila e ruan stabilitetin dhe ekuilibrin social në një vend. Goditja ndaj saj është goditje ndaj zhvillimit ekonomik dhe demokracisë.
Në komunikimet me njerëzit, me vartësit shpreh mirësjellje, dashamirësi, inkurajim, gatishmëri për t’i ndihmuar, predispozicon për t’u krijuar kushte optimale të gjithëve për zhvillimin e personalitetit. Te të gjithë lë përshtypjen e të qënit dikush (në të vërtetë është dhe e manifeston). Një dikush fort miqësor. Iu kushton vëmendje njerëzve, i vëzhgon ata, mbledh informacione dhe merr mendimet e tyre, i bashkëndan me ta ndjenjat. Përllogarit saktë, çfarë përfiton nga kjo marrëdhënie apo marrëveshje. Përvoja botërore ka treguar se suksesi arrihet kur punët realizohen me njerëz me synime të përbashkëta dhe mbi bazën e forcës së zotimeve të ndërsjellta. Suksesi u buzëqesh atyre që dinë të komunikojnë me njerëzit e që fitojnë zemrat e tyre. Për të ndërtuar një shoqëri edhe një biznes është e domosdoshme t’i prekësh njerëzit në ndjenja. Fuqia e fjalës është forca e vertëtë lëvizëse në mbretërinë e padukshme të mendimit dhe në bashkimin e njerëzve.
- Vendosmëri, këmbëngulje, qendrueshmëri – janë trinomi i veprimtarisë së tij të suksesshme
Vendosmëria provohet kur ke për të bërë gjëra të vështira, të cilat jo të gjithë i bëjnë. Kur nuk ke frikë e nuk tërhiqesh. Nuk pyesim veten: Cilat janë kostot? Cilat janë risqet? Por thjesht pyesim veten: Kush jam? Çfarë është kjo situatë? Çfarë do të bënte dikush si unë në një situatë të tillë? Vendosmëria bën fjalë për një pasion që ndihmon për të përmbushur një objektiv madhor, siç është objektivi i SIGAL për të qenë lider në fushën e sigurimeve, jo vetëm në Shqipëri, Rajon, por edhe më gjerë.
Sipas psikologëve përpjekja vlen dyfish. Jeta dhe veprimtaria e Avni Ponarit na mëson se vendosmëria mund të zhvillohet dhe se duhet të kemi besim në atë se përpjekjet tona nuk shkojnë kot, kur jemi të vendosur. Të kesh vendosmëri do të thotë të vazhdosh të hedhësh hapat njëri pas tjetrit, të investosh çdo ditë përballë një praktike sfiduese, të rrëzohesh shtatë herë e të ngrihesh tetë herë. Nëse në veprimtarinë tënde udhëhiqesh nga asetet themelore psikologjike: interesi, praktika, qëllimi konkret, specifik, në shërbim të njerëzve dhe shpresa, nuk ka kala që nuk e merr, fiton zemrat dhe besimin e njerëzve. Rëndësi ka të mësosh rreth tyre, t’i zbulosh në kohë, t’i zhvillosh e t’i çosh më tej. Insistimi i tij për t’u përmirësuar, për të qendruar me këmbë në tokë, për të rrezistuar edhe përballë të papriturave, vështirësive, stërkëmbshave, ia rriti dhe ia siguroi suksesin.
Epilogu
Avni Ponari na dha kulturën e punës. Ecën i sigurtë në trasenë që ka shtruar prej dekadash. Me shumë vetëbesim, me shumë vendosmëri dhe kurajo. Komunikimet dhe marrëdhëniet e tij me njerëz që të ndihmojnë të mendosh ide të reja, me njerëz të intersave të ndryshme profesionale dhe shoqërore, e kanë ndihmuar në menaxhimin dhe administrimin me sukses të biznesit të tij. Ua shtoi vjerat gjërave, por edhe njerëzve. Ia shtoi vlerat edhe vetes. Pranoi shansin e dhënë për të bërë më shumë dhe u përqendrua se si ta bënte më mirë. Motoja e punës së tij është: “Duhet të kemi ide të reja për të krijuar e për t’u përmirësuar, zgjidhe vetë atë që të pëlqen të bësh, mos e shty për nesër atë që mund ta bësh sot. Përdor qëllimet që të rritesh. Qëllimi është më shumë se ëndërr, është ëndër mbi të cilat veprohet. Mendo progres, beso progres, nxit progres!”
Avni Ponari është optimist, krenar për atë që ka bërë dhe bën në shërbim të komunitetit, me plot forca dhe energji për t’i çuar më përpara punët e nisura.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
