BABI – Urime, 28 NËNTORËT…

Në këtë 28 Nëntor, Radios Kosova e Lirë dhe TV Diellit, i mungon dora e djathtë, i mungon shpirti, i mungon zemra që çdo ditë-natë, për dekada të tëra, me pasion dhe energji të pakufishme, filloje ditën dhe mbaroje netët duke shkruar për ato që ti, Babi, i quaje “Nëntorët Lavdiplotë”, “ Nëntorët e Historisë”, “ Nëntori- festë e shumëfishtë” etj.

Dora Jote- Babi- nuk ishte vetëm dorë tekst shkruesi; ishte dorë që ndërtonte ura mes të shkuarës dhe të ardhmes, që mban mbi supet e saj peshën e një kombi që nuk e harron kurrë historinë e tij.

28 Nëntori, dita që çdo shqiptar e mban në zemër si simbol të lirisë dhe krenarisë së kombit, sot më duket bosh pa TY. Çdo fjalë, çdo shkrim, çdo mendim që ke lënë pas, nuk është thjesht letër apo ekran, është energji që ngjall shpirtin e kombit dhe frymëzon breza të tërë.

Sot, hyra në zyrën tënde, si çdo vit, për ta uruar këtë festë, por përballë fotografisë tënde në mur, lotët më ranë të pashmangshëm. Zemra më valonte mes kujtimeve dhe dhimbjes që nuk shuhet… Mungesa Jote ndihet çdo ditë, por trashëgimia Jote është përjetësisht e gjallë.

BABI! Faleminderit që na le qindra shkrime, mendime dhe reflektime që, edhe sot, na lidhin ngushtë me historinë dhe shpirtin e këtij kombi. Fjala jote vazhdon të ndriçojë mendjet dhe zemrat tona. Ti nuk je vetëm kujtim; je dritë që udhëheq, frymë që ndez krenarinë në çdo shqiptar. Sot dhe gjithmonë, emri YT, mbetet simbol i dashurisë, sakrificës dhe nderit të një populli. Një yll që nuk shuhet kurrë.

Urime, BABI! 28 NËNTORËT…

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: DISA FALË RRETH FIGURËS POLIEDRIKE TË IBRAHIM SKENDERIT

Në vend të hyrjes Ibrahim Skenderi u lind më 1948 në Brrut të Sharrit. Pas …