Haki Abazi akuzon Kurtin për dështime në energji dhe lidhje me biznesmenë të dyshimtë

Haki Abazi, ish-zëvendëskryeministër në qeverinë Kurti dhe ish-deputet i Vetëvendosjes, tash pjesë e AAK-së, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti për, siç thotë ai, dështimet e rënda në sektorin e energjisë. Abazi tha se strategjia për energji e qeverisë Kurti “s’ishte më shumë se një punim seminarik”, dhe se pas saj fshihen interesa të dyshimta tregtare. Hartimi i strategjisë energjetike është bërë për të maskuar marrëveshjet e pazbardhura që, sipas tij, lidhen me tregtinë e energjisë përmes Martin Berishajt dhe me biznesmenin serb Vuk Hamoviq. Ai theksoi se Hamoviqi “është bërë partner me Kurtin” në procesin e bartjes së energjisë, duke paguar përqindje të fitimit, ndërsa qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të shkëputur varësinë nga ky zinxhir. Abazi kritikoi ashpër edhe dështimin e njëpasnjëshëm të ankandeve publike për energji solare, të cilat, sipas tij, janë shtyrë pesë herë për të favorizuar njerëz të afërt me Kurtin. Ai tha se një kompani franceze që planifikonte të investonte në Kosovë është detyruar të zhvendoset në Maqedoninë e Veriut, e cila sot siguron mbi 56% të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa Kosova siç thekson ai  ka mbetur në 0%. Ai përfundoi duke thënë se në këtë sektor “përzihen interesa të kriminalizuara”, ku përfshihet edhe partneriteti, sipas tij, gati i detyrueshëm me Vuk Hamoviqin.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata e Apelit prapëson pjesërisht vendimin për dëmshpërblimin e Salih Mustafës

Paneli i Gjykatës së Apelit ka miratuar sot, me shumicë votash, një pjesë të ankesës …