BQK forcon bashkëpunimin me Austrinë, Gjermaninë dhe Zvicrën: Fokus reformat financiare dhe Kartoni i Gjelbër

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatorin z. Milot Cakaj dhe ekipin e BQK-së, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Ambasadave të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës për të diskutuar zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës dhe aktivitetet reformuese në vijim, me theks të veçantë në sistemin e Kartonit të Gjelbër.

Në takim morën pjesë znj. Clarissa Castek, Zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë; z. Christoph Fuchs, Zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë; dhe z. Christian Böttcher, Zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili i informoi përfaqësuesit e ambasadave për zhvillimet kryesore dhe iniciativat reformuese në sektorin financiar, përfshirë progresin në forcimin e kornizës ligjore dhe rregullative. Vëmendje e veçantë iu kushtua reformave të ndërlidhura me integrimin evropian, përfshirë çështjet që lidhen me sistemin e Kartonit të Gjelbër, në kuadër të mandatit të BQK-së për rregullimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe sektorit të sigurimeve.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e sinqertë të BQK-së ndaj institucioneve të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e integritetit, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vlerëson lart bashkëpunimin dhe mbështetjen e partnerëve të saj ndërkombëtarë në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe në mbështetjen e integrimit të Kosovës në mekanizmat përkatës evropianë.

Kontrolloni gjithashtu

Isuf  Bytyçi: NË MUNIH TË GJERMANISË U FESTUA 28 NËNTORI ­– DITA E FLAMURIT

Më 26 nëntor 2025, nga ora 18:00 u mbajt festë në Munih të Gjermanisë, për …