Lumir Abdixhiku pranon rezultatin zgjedhor dhe paralajmëron reflektim të brendshëm në LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit si zhgënjyes për partinë që ai drejton, duke theksuar se ai nuk përputhet me pritjet dhe objektivat e LDK-së. Në një adresim publik, Abdixhiku ka theksuar se ky rezultat kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku janë numëruar rreth 95 për qind e votave, LDK-ja është renditur e treta me 13.79 për qind të votave të fituara. Abdixhiku tha se verdikti i qytetarëve duhet respektuar dhe se demokracia funksionon vetëm atëherë kur udhëheqësit janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi edhe në rast humbjeje. Ai njoftoi se së shpejti do të thërrasë Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, ku do të shqyrtohen të gjitha çështjet e rëndësishme për partinë, përfshirë edhe përgjegjësinë e tij si kryetar. Abdixhiku la të hapur mundësinë e dorëheqjes, duke theksuar se asnjë opsion nuk përjashtohet. “Kjo është një fazë që kërkon unitet, dëgjim dhe guxim politik brenda LDK-së. Para Kuvendit të Përgjithshëm do të diskutojmë të gjitha çështjet, përfshirë edhe përgjegjësinë time personale”, u shpreh Abdixhiku.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Lladrovci: Drenasi mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lart angazhimin dhe përkushtimin e strukturave …