Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas deklaratave të tij të fundit ku u përmendën “mercenarë”, pa adresim konkret, si dhe pas qëndrimeve kritike ndaj deklarimit të Besian Mustafës se gabimi më i madh i LDK-së ishte votimi i Hashim Thaçit për President të Kosovës. Berisha e ka akuzuar Abdixhikun se bën pjesë në të njëjtën strukturë ideologjike me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, duke e quajtur këtë linjë “sorosiane” dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës. Sipas tij, deklarimet e Abdixhikut përbëjnë një shkelje të rëndë morale dhe politike, pasi, siç tha, përdorin një gjuhë që fyen luftën çlirimtare dhe përçmon sakrificën e saj. Berisha ka shprehur zhgënjim edhe për mungesën e reagimeve kundërshtuese brenda LDK-së, ndërsa sulmet ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi i ka cilësuar si luftë politike kundër figurave shtetformuese të Kosovës. Në fund, ai ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së dhe bashkimin e tij politik me Kurtin dhe Osmanin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
