Fatmir Graiçevci

Fatmir Grejqevci: Rosa Parks, fillimi i fundit të diskriminimit

Janë të shumtë ata që e njohin personin në foton e parë dhe të paktë që kanë njohuri për foton e dytë, ani pse është kjo e dyta që ka nisur e para rezistencën kundër diskriminimit dhe segregacionit që iu bëhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njerëzve me ngjyrë!

Ishte viti 1955 kur Rosa Parks refuzoi t’ia lironte karrigen në autobus njeriut të bardhë, një rregull i pashkruar, por që duhej të zbatohej me përulësi nga njerëzit me ngjyrë! Këmbëngulja e saj për ta shpërfillur këtë normë diskriminuese e poshtëruese do të ngjallte reagime e kundërreagime të shumta. Pas pak, njerëzit me ngjyrë u solidarizuan me Rosen kryeneçe dhe, pak më vonë, ata do ta bojkotonin transportin publik sipas rregullit: “të gjithë për një, një për të gjithë”.

Reagimet dhe kundërreagimet do të jenë të mëdha e të fuqishme dhe protestat do të përfshijnë anekënd Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Ndërkohë, pas pak vitesh, më 1963, masës prej afër 300 mijë protestuesve do t’u drejtohet njeriu me ngjyrë, Martin Luther King, duke u bërë kështu ikonë e njerëzve me ngjyrë që angazhohet për të drejtat e tyre! Një vit më vonë, ai merr Çmimin Nobel për Paqe dhe emri i tij sa vjen e afirmohet, por jo edhe emri i kryengritëses së parë kryeneçe kundër diskriminimit dhe segregacionit, Rosa Parksit!!!

Pas pak dekadash, një tjetër vajzë me ngjyrë do të arrijë diçka që as që e kishte imagjinuar në adoleshencën e saj! Kjo është Condoleezza Rice. Sa ishte adoleshente, derisa po i shihte me lakmi disa pallto të bukura, por që nuk kishte lekë për t’i blerë, në tentimin e saj për ta provuar këtë pallto dhe për ta mbajtur veshur për pak sekonda, pronari i dyqanit e kishte paralajmëruar se nëse e vishte, do të duhej ta blinte me patjetër, sepse askush më nuk do ta blinte një pallto të provuar nga një vajzë me ngjyrë!

Dhe pas disa vitesh, Condoleezza Rice do të zgjidhet Sekretare e Shtetit e SHBA-ve, duke u bërë kështu gruaja më e pushtetshme në botë! Pakëz vite më vonë, është një tjetër burrë me ngjyrë që do t’i arrijë majat e pushtetit: Barack Obama! Ky do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ani pse në kohën sa ishte fëmijë, njerëzit me ngjyrë luftonin t’u njihej e drejta për të votuar, një e drejtë e mohuar shekuj me radhë në vendin që quhet djepi i demokracisë!!!

Sot janë të shumtë ata që kanë njohuri dhe admirim për kontributin e Martin Luther Kingut, Condoleezza Rice-it, Barack Obamës dhe që vetë këta i kanë shijuar frytet e angazhimit të tyre, por sa dimë për Rosa Parksin – lulen e parë të pranverës së njerëzve me ngjyrë!!!???

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

Ylli Mece: BALLI I KOMBIT KA QENË , NGELET E DO TË NGELET TURPI I KOMBIT!

(Letër ballistit, ose më saktë pronarit të femës SHPK  ” Koteci me 1001 pula”) I …