Ish-gjenerali dhe veprimtari Sadik Halitjaha ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar atë si një “dështim zgjedhor” dhe duke akuzuar partitë politike për vjedhje sistematike të votës së qytetarëve ndër vite. “Deri tani, me dhjetëra zgjedhje me vota të vjedhura u qeveris Kosova”, ka shkruar Halitjaha, duke ngritur pyetjen se si ndihen sot, sipas tij, “keqehajnat e partive” dhe nëse kanë ende “fytyrë” të mos e reformojnë ligjin zgjedhor. Ai vë në dyshim besueshmërinë e procesit elektoral dhe besimin e qytetarëve, duke pyetur se deri kur populli duhet të durojë dhe pse duhet të dalë për të votuar, “kur vota varet nga hajnat se ku shkon”. Sipas Halitjahës, mënyra aktuale e votimit krijon hapësirë për manipulime dhe abuzime në të gjitha nivelet e shtetit. Në reagimin e tij, ai propozon disa zgjidhje konkrete: ndarjen e zonave zgjedhore për të pasur deputetë të zonës, rregullimin e votimit elektronik të digjitalizuar, si dhe mbylljen e hapësirave që, sipas tij, gjithmonë krijohen për vjedhje “në të gjitha mënyrat dhe në të gjithë dikasterët e shtetit”. Halitjaha përfundon me një mesazh të ashpër ndaj klasës politike: “Sa duhet të duroj populli që maskarenjtë t’i dëgjojë si pushtetarë të dhunshëm e të paligjshëm?”, duke kërkuar ndryshim rrënjësor të sistemit zgjedhor dhe përgjegjësi për ata që, sipas tij, kanë deformuar vullnetin e qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
