Superpuna jashtë funksionit, bizneset në rrezik gjobash: Heshtje institucionale për një problem shtetëror

Platforma shtetërore “Superpuna” tash disa javë është jashtë funksionit, duke pamundësuar regjistrimin e punëtorëve dhe duke i vënë bizneset përballë rrezikut të penalizimeve nga institucionet, për një problem që nuk është i tyre. Nga Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës jozyrtarisht kanë konfirmuar për KosovaPress se kanë pranuar një numër të madh ankesash për mosfunksionimin e platformës. Krahas kësaj, janë ngritur shqetësime serioze edhe për vonesat e pagesave dhe mungesën e sqarimeve institucionale për vazhdimin e programit në vitin 2026. Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, tha se problemet me “Superpunën” po përsëriten dhe se bizneset po përballen sërish me telashe të njëjta si në fund të vitit të kaluar. Ai paralajmëroi se mosfunksionimi i sistemit po i vë bizneset në pozitë të padrejtë, pasi ato rrezikojnë të ndëshkohen nga Administrata Tatimore për mosregjistrim të punëtorëve, ndonëse faji është i vetë sistemit shtetëror. Derisa KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe në Agjencinë për Punësim, institucionet nuk kanë kthyer asnjë përgjigje deri në publikimin e këtij raporti, duke e thelluar edhe më shumë perceptimin e neglizhencës institucionale. Platforma “Superpuna” ishte lansuar në vitin 2023 për të mbështetur punësimin e të rinjve 18–25 vjeç, por sot po shndërrohet në shembull të dështimit digjital që po e paguajnë bizneset dhe punëtorët.

Kontrolloni gjithashtu

Ekspertët: Urbanizimi i pakontrolluar faktor kyç në vërshimet e fundit

Urbanizimi i pakontrolluar i vendbanimeve, veçanërisht ndërtimet e afërta me rrjedhat e lumenjve, po konsiderohet …