Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: INICIATIVA E QEVERISË NË DETYRË!

Ministria e Arsimit dëshiron të ndërmarrë hapa ndryshimi në kurrikulat shkollore në arsimin fillor, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë, si dhe nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë.

Shumë mirë bëhet, sepse zhvillimet sjellin ndryshim, si në mjetet e konkretizimit, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie.

Po ashtu edhe avancimet në teknologjinë informative, në robotikë dhe në inteligjencën artificiale.

Qeveria po ndërmerr një veprim të domosdoshëm, sidomos kur dihet se nxënësit tanë ende po i mësojmë me metoda të kaluara e të vjetruara. Tani, pasi sistemi i Bolonjës doli i dështuar edhe për vetë italianët, ata që e proklamuan si reformë të tyre në arsim.

Nxënësit kanë ngarkesa të mëdha e të panevojshme në shumë lëndë dhe me metoda të komplikuara krahasimore për mësimnxënie.
E ardhmja e një populli varet nga arsimi i shëndoshë dhe cilësor. Po ashtu, ka nevojë që sasia e panevojshme e materialeve të zvogëlohet, të zvogëlohet edhe pesha e çantave me shumë libra, të cilat për fëmijët janë të rënda dhe shkaktojnë deformime fizike.

Edukimi i një populli fillon nga fëmijëria, që do të thotë se duhet t’i edukojmë drejt, si për të arritur qëllimet që duhet t’i arrijnë në jetë, ashtu edhe për të njohur të kaluarën, sidomos historinë dhe gjuhën shqipe.

A mjafton që lufta e UÇK-së, historiku dhe vlerat e saj të shpjegohen vetëm në pesë faqe libri?!
Sot fëmijët, në rrethanat dhe kushtet që i kemi, më parë mësojnë gjuhë të huaja sesa gjuhën amtare.
Më parë njohin shtetet e huaja sesa atdheun e vet.

Në lëndët ekzakte ende mungojnë mjetet e konkretizimit, laboratorët, si dhe praktika në lëndët profesionale.
Sipas konstatimeve dhe vlerësimeve të sistemit PISA, Kosova renditet në pragun e fundit.

Krejt çka po krijojmë me arsimin tonë të dështuar, është analfabetizëm funksional.

Pse qeveria nuk i harmonizon dhe nuk i njëson kurrikulat me ato të Shqipërisë? Pse kjo të mos bëhet bashkë dhe të jetë e njëjtë në të gjithë hapësirën shqiptare?

Kush qeveris me sedër të sëmurë, pse të dëmtohet uniteti dhe përafrimi i popullit shqiptar në çdo fushë, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë? Tani për tani, më primar është arsimi në të gjithë hapësirën shqiptare.

Me dhjetëra marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë bërë, duke filluar nga abetarja unike e shumë marrëveshje të tjera që nuk po zbatohen.

Të mos flasim për interesimin ndaj popullit shqiptar në Iliridë, Kosovën Lindore dhe Malësinë e Madhe, si dhe në emigracion, për të cilët kemi obligim kudo që janë në botë, e për të cilët askush nuk po interesohet.

Pse qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit e injorojnë këtë fakt, kur dihet se Shqipëria është më përpara se ne dhe se interesi kombëtar duhet të na afrojë drejt bashkimit?

Sa kemi qenë nën pushtim, censura e pushtuesit na ka kufizuar zhvillimin ekonomik dhe arsimor.
Na kanë gjymtuar qëllimshëm, që të mos mund të avancojmë, të zhvillohemi dhe të pavarësohemi, që të mos jemi të barabartë me Shqipërinë. Shumë përpjekje kanë bërë pushtuesit që të na ndajnë në një “komb kosovar”.

Shqiptarët e Shqipërisë i quanin “Albanci”, ndërsa neve “Shiptari”.

Tani, kush na censuron?

Kush e ndalon bashkimin e shqiptarëve?
Vetëcensura qenka më e keqe se censura, vetëndarja më e keqe se ndarja me dhunë!

Dëshmorët ranë me ideale ndryshe nga këto që po zhvillohen sot në Kosovë dhe në Shqipëri. Ata ranë për bashkimin kombëtar!

Shumë jetë u dhanë, shumë gjak u derdh. Nuk guxojmë t’i humbim për tekat e qeveritarëve, andej e këndej kufirit. Vetë këta pushtetarë po e forcojnë këtë kufi të panevojshëm, i cili nuk duhet të ekzistojë fare.

Si po i edukojmë fëmijët tanë?

Si po ua shpjegojmë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen?

Çfarë po i bëjmë një populli të pafajshëm?

Pse po mbillet ndarje dhe shkatërrim kombëtar?

A dështuan apo jo pushtetarët, dhunuesit e vlerave dhe të bashkimit kombëtar?

Ky popull do të krijojë kushte dhe do ta gjejë rrugën e bashkimit. Pushtetarët, Kurti dhe Edi Rama, janë të përkohshëm; populli do të jetë këtu përherë!

Rroftë bashkimi i shqiptarëve në Shqipërinë e ribashkuar!

Kontrolloni gjithashtu

Shefqet Dibrani: PORTRET MËRGIMTARI: FATMIR THAQI

Shefqet Dibrani: PORTRET MËRGIMTARI: FATMIR THAQI

E diela, kur nuk kam arsye për të dalë dhe as shkas për të shkruar, …