IKD alarmon Kuvendin e ri: Pa buxhet, marrëveshje ndërkombëtare dhe zbatim të Kushtetueses, rrezikohet stabiliteti institucional

Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka renditur një sërë vendimesh urgjente që, sipas këtij institucioni, duhet të trajtohen pa vonesë nga legjislatura e 10-të e Kuvendit të Kosovës, duke paralajmëruar se vonesat mund të cenojnë funksionimin normal të rendit kushtetues dhe stabilitetin e institucioneve shtetërore. Sipas IKD-së, ndër prioritetet kryesore mbetet miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe ratifikimi i marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes në vlerë prej 880 milionë euro dhe marrëveshjen me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro. Këto vendime konsiderohen thelbësore për funksionimin financiar të shtetit, zbatimin e politikave publike dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare. Një tjetër çështje urgjente, sipas IKD-së, është zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë vendimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë. Moszbatimi i këtyre aktgjykimeve, sipas institutit, dëmton drejtpërdrejt sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues. IKD vlerëson se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë për të zhbllokuar proceset kyçe, për të zbatuar vendimet kushtetuese dhe për të forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të interesit publik dhe rendit demokratik.

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Muriqi: LEGJIMITETI I VOTËS – PUSHTET I NËPËRKËMBUR

Manipulim i dyshuar votash në Mitrovicë – Prokuroria interviston 43 kryesues të QKN-ve

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit …