Më 9 shkurt, nisin fjalët përfundimtare të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Procesi më i madh gjyqësor në gjykaten specialenë Hagë po hyn në fazën përfundimtare. Katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, pritet të përballen me fjalët përfundimtare të palëve duke filluar nga 9 shkurti. Sipas kalendarit gjyqësor, nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen seancat ku Prokuroria e Specializuar dhe ekipet mbrojtëse do të paraqesin përmbylljen e argumenteve të tyre para trupit gjykues. Në përfundim të kësaj faze, edhe të akuzuarit do të kenë të drejtën e fjalës, me nga 20 minuta secili për deklarimin e tyre personal. Avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, ka deklaruar se mbrojtja e ka ndërtuar qëndrimin e saj mbi kundërshtimin e përgjegjësisë komanduese dhe të ashtuquajturës ndërmarrje të përbashkët kriminale. “Mbrojtja e ka strategjinë e qartë: nuk ka ekzistuar përgjegjësia komanduese dhe as ndërmarrja e përbashkët kriminale. Kjo është mbështetur edhe nga dëshmitarët e paraqitur nga mbrojtja”, ka thënë ai. Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse, trupi gjykues ka në dispozicion deri në 90 ditë për të shpallur aktgjykimin e shkallës së parë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Në pritje të vendimit janë shprehur edhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kërkojnë lirimin e të akuzuarve, duke theksuar se lufta çlirimtare nuk mund të trajtohet si krim.

Kontrolloni gjithashtu

Andin Hoti: Serbia mund të bllokojë sërish zbatimin për Komisionin e të Pagjeturve

Edhe pse Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 22 janar për funksionalizimin e Komisionit të …