Rama nga Washingtoni kritikon ashpër Specialen: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, “maskaradë e drejtësisë ndërkombëtare”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rikthyer në fokus çështjen e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar procesin si një padrejtësi serioze ndaj Kosovës dhe historisë së saj çlirimtare. Në podkastin e tij “Flasim”, Rama foli për zhvillimet kryesore të javës, duke veçuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Washington, ku sipas tij vendi u ul si anëtar themelues në një tryezë që synon të formësojë arkitekturën e re globale të sigurisë. Megjithatë, theksi kryesor i deklarimit të tij ishte gjykimi në Dhomat e Specializuara të Kosovës, për të cilin ai shprehu shqetësim të fortë politik dhe kombëtar. “Përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të drejtësisë ndërkombëtare në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe çlirimtarëve të Kosovës”, deklaroi Rama, duke shtuar se procesi gjyqësor ka dështuar të provojë pretendimet se UÇK-ja ishte një ndërmarrje kriminale. Sipas tij, kërkesa e Prokurorisë për dënime të rënda, përfshirë 45 vite burg për ish-udhëheqësit e luftës, përbën një qasje të padrejtë dhe të motivuar, ndërsa shprehu besimin se rritja e sensibilizimit ndërkombëtar do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupit gjykues. Rama theksoi se gjykata duhet të zgjedhë “mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosjes së saj”, duke e paraqitur procesin jo vetëm si çështje juridike, por edhe si sfidë morale dhe historike për drejtësinë ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Kosova ka mundësi më të mëdha për anëtarësim në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka vlerësuar se tani Kosova ka mundësi më të mëdha …