Roli i SHBA-së në KFOR nën diskutim, ekspertët paralajmërojnë pasoja për sigurinë në Kosovë

Mbi 26 vjet pas vendosjes së misionit paqeruajtës të KFOR në Kosovë, diskutimet për një reduktim të mundshëm të rolit amerikan po rikthejnë në vëmendje çështjen e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend. Misioni i udhëhequr nga NATO u vendos në qershor 1999 pas luftës, me mbi 50 mijë trupa fillestare, ndërsa sot numëron rreth 4.700 ushtarë, përfshirë afro 590 amerikanë. Sipas një përgjigjeje të Pentagonit për Radion Evropa e Lirë, nuk ka vendim zyrtar për ndryshim të dislokimit të forcave, megjithëse raportime mediale kanë përmendur diskutime brenda aleancës për reduktimin e angazhimeve të jashtme. Debati lidhet me ndryshimet në prioritetet globale të sigurisë së SHBA-së dhe kërkesat që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi ushtarake. Analisti ushtarak Igor Tabak vlerëson se vendet evropiane kanë kapacitete për të mbuluar një rol më të madh në Kosovë, duke theksuar rritjen e investimeve në mbrojtje dhe bashkëpunimin rajonal. Ndërkaq, ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, paralajmëron se prania amerikane ka rëndësi jo vetëm ushtarake, por edhe politike, pasi shërben si faktor i fuqishëm parandalues ndaj tensioneve të mundshme në rajon.Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces transformimi në ushtri të plotë, por ende nuk operon në veri të vendit pa miratimin e KFOR-it, i cili mbetet garantuesi kryesor i sigurisë. Ekspertët theksojnë se çdo dobësim i pranisë amerikane mund të ndikojë në balancat rajonale dhe të  kërkojë angazhim më të madh diplomatik nga Kosova për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Kontrolloni gjithashtu

Vazhdon gjykimi për “Administrimin e drejtësisë”, Specialja nën kritika për proces të zgjatur dhe standarde të diskutueshme

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon gjykimi në rastin për “Administrimin …