Fatmir Grejqevci: Një vit pa Ty, Bacë Ahmet Qeriqi

Një vit pa Ty, Bacë Ahmet Qeriqi
Sot bëhet një vit që kur u ndave nga kjo botë, Baci Ahmet. Një vit që mungesa jote ndihet çdo ditë, në fjalët që nuk i dëgjojmë më, në këshillat që nuk i marrim më dhe në praninë tënde që nuk e kemi më mes nesh, por vetem fizikisht!
Njerëz si ti nuk largohen kurrë plotësisht. Ata mbeten në mendjen, zemren e ndërgjegjen tonë duke ndriçuar rrugën që na kanë mësuar ta ndjekim.
Për mua ishe shumë më tepër se një mësues. Ishe dhe do të vazhdosh të jeshë udhërrëfyesi im më i mirë , njeriu që më tregoi se si duhet të punohet për kombin e vatanin pa pritur asgjë në këmbim, me përkushtim, me ndershmëri dhe me dashuri të pakushtëzuar, ashtu sikur porosiste filozofi Kant kur shkruante për imperativin kategorik.
Me punën tënde të palodhur u bëre kronisti më i përkushtuar i historisë sonë kombëtare, jetëshkruesi i heronjve dhe dëshmorëve të kombit, të të gjitha trojeve tê Shqipërisë etnike, pergjatë gjithë historisë.
Falë punës sate, shumë nga sakrificat dhe jetët e tyre nuk do të harrohen kurrë.
Ishe njeri fjalëpak, por me veprimtari kolosale, në fusha të shumta. Tërë jetën e jetove me idealin e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar, duke punuar pa pushuar as në ditët e fundit të jetês tënde për lartësimin e vlerave më të mira të popullit tonë.
Fatkeqësisht, madhështia e njerëzve kuptohet vetëm kur ata nuk janë më mes nesh fizikisht. Vetëm kur e ndjejmë boshllëkun e madh që kanë lënë pas, e kuptojmë madhështinë e tyre!
Pusho në paqe në Krojmirin e Drenicës, në tokën që e deshe aq shumë dhe për të cilën punove gjatë gjithë jetës. Në Drenicën e Prekazit heroik, ku pushojnë ata që lindën një epokë – Shaban, Hamëz e Adem Jashari dhe dhjetëra bashkëluftëtarë të tyre – heroizmin e të cilëve e pasqyrove dhe përjetësove me shkrimet e tua si askush tjetër.
Bacë, një vit më parë u ndave fizikisht nga ne, por jo nga zemrat tona. U bë një vit që nuk je më fizikisht në hapësirat e Radios Kosova e Lirë dhe të Televizionit Dielli që i krijove dhe i rrite me aq përkushtim, por fryma jote mbetet aty, në çdo fjalë dhe në çdo kujtim.
Për mua ishe dhe do të mbetesh gjithmonë njeriu që meriton dashuri, respekt dhe vlerësim maksimal, pa masë, pafundësisht. Ishe dhe do të vazhdosh të jesh mësuesi dhe udhërrëfyesi i jetës sime.
Të qoftë i lehtë dheu i atdheut, për mirëqenien e të cilit u angazhove me gjithë qenien tënde, deri në ditën e fundit!
Lavdi dhe kujtim i përjetshëm për ty, Bacë Ahmet Qeriqi!

Kontrolloni gjithashtu

Ferat Shala: Prof. Ahmet Qeriqi na bashkoi sot, ashtu si dikur që na bashkonte: intelektualë, veprimtarë, luftëtarë të lirisë, shokë e familjarë

Sot është një ditë e madhe. Sot, si asnjë ditë tjetër, ndërthuren festa, ngjarje dhe …