1981

Mehmet Bislimi: Marshimi drejt lirisë (kujtojmë 45- vjetorin e lavdishëm të demonstratave të vitit 1981)

Në vitin 1981 isha i ri, student në mesin e bijve më të mirë të popullit tonë liridashës, i frymëzuar nga breznitë e hershëm atdhetare, që kishin brumosur rrugën tonë për ta dashur atdheun, sikur ishin ikonat e kombit tonë: Gjon Serreçi, Osman Bunjaku, Ajet Gërguri, Ukë Sadiku, Halim Zeqiri, Omer Çerkezi, Fazli Graiqevci, Adem Demaçi, Ali Aliu i Preshevës, Metush Krasniqi, Zija Shemsiu, Xhemaili Berisha, Rexhep Balidemaj, Mehmet Gega, Rafi Halili, Halil Alidema, Zaim, Remzi dhe Vahbi Beqiri, Isuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Ahmet Haxhiu, Zeqir Gërvalla, Ismail Haradinaj e qindra pishtarë tjerë të lirisë, të cilët na kishin dëftuar atdhedashurinë, për ne, nuk duhej më shumë se kaq, kambanat binin për ata që kishin vesh për të dëgjuar!… Dhe kambanat ranë si asnjëherë më parë në pranverën e hershme të vitit 1981. Mbaj mend se në atë mars kishte filluar të lulëzonte natyra, me të gjitha hiret e saj, sa më behej se nuk i pritej më…

Aty, ne mesin e mijëra vashave e djelmoshave, ku secili po kryente obligimet e vet kombëtar në mënyrën më të mirë të mundshme, s’ke si ndiheshe ndryshe veç se shqiponjë me krah! Edhe unë së bashku me ta, jam munduar t’i përgjigjem zërit të atdheut. Nuk do të ishte e tepërt të them se jam përpjekur me gjithë shpirt, për të qenë i pranishëm kudo gjatë atyre lëvizjeve të fuqishme studentore, që dridhen themelet e ish pushtuesit Jugosllav, flamurin e së cilës e kam hedhur përtokë mu në qendër të Prishtinës! Këtë flamur të pushtuesit, më vonë ne, bijtë e bijat e UÇK-së, me pushkët e lirisë në dorë, përfundimisht e kemi shporrur nga vendi ynë. Ai flamur i pushtuesit, kurrë më, nuk do të valojë mbi tokën dhe qiellin e Kosovës, kurrë më, kurrë më, dhe me asnjë çmim!

Po ashtu, mbaj mend se me fjalimit tim, që kam mbajtur (pas Ali Lajçit dhe Hydajet Hysenit), me 11 e 26 mars, në vazhdim me 1 dhe 2 prill, jam munduar t’i orientojë masat e demonstruesve studentore e liridashëse, madje kemi bërë përpjekje për ta rrëmbyer edhe stafetën e Titos, e cila atë ditë po kalonte nëpër Prishtinë (me 26 mars, diku rreth orës 16:00), por që ketë qëllim, unë me disa shokë, fatkeqësisht, nuk arritëm ta realizonim në atë masë që kishim bërë planin.

Më kujtohet, edhe përkrahja e fuqishme prej disa profesorëve të asaj kohe. Diku, afër Hotelit “Grand”, takuam, profesor Rexhep Hoxhën, i cili na dha përkrahje të fuqishme morale, duke na thënë: “Studentë të dashur, jeni zemra e kësaj toke, përpara se nuk ka fuqi që na ndalë, dhe e bëri dorën grusht!”. Kjo na dha zemër, dhe na bëri të fluturojmë nga gëzimi. Pak më tej, tek Shtëpia e mallrave “Gërmia”, takuam edhe profesor, Ahmet Qeriqin, i cili na përqafoi vëllazërisht dhe na tha: “Vazhdoni, kjo është rruga dhe e drejta jonë!”… Me profesor Ahmetin ishte edhe Imer Halili, një bashkëvendës imi dhe disa profesorë të tjerë që atë kohë unë nuk i njihja. Më vonë kam mësuar se në mesin e tyre kishte qenë edhe profesori i nderuar, Zenun Gjoci. Mbështetja që na dhanë ata, për ne ishte sikur të kishin marrë flatrat mbi supe.

Rruga e lirisë, pavarësisht të drejtave tona historike dhe të natyrshme, nuk ishte e shtruar me lule, por ishte me ferra e driza, sepse ende nuk ishim bërë bashkë me idetë dhe synimet tona. Ish nomenklatura politike e asaj kohe, edhe ajo e më hershmja, nuk ishin më shumë veçse vasalë të bindur në duar të pushtuesit, të cilët me mjetet e tyre në fuqi, pengonin procesin e lirisë dhe bashkimit tonë. Këta ishin të strukturuar në shërbim të pushtuesit Serbo- Jugosllav si: posllanik, poverenik, poreznik e kmet katundesh, ashtu si dukur çaush, sejmenë, kadi e hafi. Kishte edhe prokurorë e gjyqtarë, milicë e komunar, të ligj e të palarë, matrapaz e zagarë!… Mirëpo, këta ishin shumë më pak se bijtë e popullit, që në vazhdimësi, nuk kishin ndalur së vepruari në shërbim të çlirimit të atdheut, që nga kohët para Osmane e deri me sot: Atdhedashësit mbeten atdhedashës, të pa kurrizët, të pa kurriz ishin, dhe tillë mbetën!

Shqiptarët si tërësi, asnjë herë, në asnjë kohë e rrethanë, për asnjë çast, nuk ishin pajtuar me robërinë, pikërisht për këtë, ne sot jemi dhe ndihemi gjallë, ndryshe do të ishim zhdukur dhe harruar që moti. Jo pak popuj në botë, për më pak se 100 vjet robërie e kolonizimi, kanë humbur identitetin, historinë dhe gjuhën e tyre amtare!

Ne, të paktën, që dy milenium, flasim shqip, pra flasim gjuhën tonë amtare shqipe e cila renditet në mesin e gjuhëve më të vjetra në Evropë!, kemi historinë, gjuhën, kulturën dhe traditën tonë, kemi kostumet, ritet, folklorin, kodin e besës dhe bujarisë, mikpritjen, tolerancën fetare që për ne është e shenjtë, toponimet dhe antroponimet antike, mendojmë shqip dhe punojmë përditë për liri e bashkim kombëtar, për ndërtimin ligjor të shtetit tonë të përbashkët, mbi të gjitha duam lirinë tonë dhe respektojmë lirinë e popujve tjerë, a ka diçka më të shenjtë dhe më madhështore se kjo?

Në vazhdën e zhvillimeve të bujshme për kombin e atdheun tonë, në mars prill 1981 e më vonë, farsa perfide e UDB-së dhe LKJ-së, ra si një leckë e zhubrosur dhe kërkesa për “Kosovën Republikë” (brenda ish Jugosllavisë atëbotë), ishte më tepër si kërkesë për një baraspeshë me Republikat tjera brenda ish RSFJ-së. Shqiptarët mbi të gjitha, ngritën zërin për të qenë të barabartë me Republikat tjera, dhe jo të sunduar, nënçmuar e shfrytëzuar prej të tjerëve, asnjëherë më! Për më pak se dy dekada më vonë, me përpjekjet e pareshtura të bijve tanë shembullor (dhe kjo nuk piku nga qielli), lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ia dha vulën përfundimtare fatit dhe lirisë së atdheut- UÇK!…

Një gjë është më se e saktë, është historike, është e dokumentuar, është e dëshmuar dhe e pranuar edhe nga ish pushtuesi ynë shekullor Serb: Shqiptarët janë ata që shembën një shtet që hiqej si vetëqeverisës, shtet i konsoliduar, me hierarki të lartë ushtarake, policore dhe shërbime sekrete siç ishte shërbimi i UDB-së, me një arsenal të armëve të rënda e sofistikuara, me një hierarki komanduese të konsoliduar. Ky shtet, që atë botë quhej Jugosllavia, në vazhdim si pasuese e sajë vazhdoj Serbia. Përgjatë një shekulli robërie e shtypje, shqiptarët nuk u dorëzuan asnjëherë (ani pse ne e paguam shumë shtrenjtë tagrin e lirisë), me demonstrata, sabotime, kundërshtime politike, mosbindje qytetare , organizime klandestine e deri tek lufta, pra ndeshja me armët e lirisë ballë për ballë me pushtuesin gjakatar Serb, ku ne se bashku me ndihmën e botës liridashëse ia dolëm, dhe përfundimisht zbuam aparatin e shtetit pushtues gjakatar Serb nga tokat tona. Këtë e pranojnë edhe vet Serbet dhe shteti i konsoliduar i tyre se: Shteti i Kosovës tanimë është realitet. Për të arritur deri këtu, ne dhe brezat e rinj shqiptar nuk duhet të harrojnë së ishte përpjekja jonë një shekullore, se kemi dhënë mijëra jetë në altarin e lirisë për ta gëzuar ne sot lirinë, dhe të drejtën për të jetuar të lirë si edhe të gjithë popujt tjerët.

Mirëpo ndeshtrashat dhe mosmarrëveshjet brenda nesh nuk ndaluan, përkundrazi, herë- herë u thelluan dhe u përkeqësuan edhe më. Disa filluan të na dënojnë, të na shpallin armiq, njerëz të Serbisë e të Rusisë etj. Në fakt, kështu mendonin atë botë, dhe mendojnë edhe sot, vetëm disa fundërrina, pra një shtresë bastardësh shqiptarë, të cilët më parë preferojnë që mos gatishmërinë e tyre për të u rreshtuar drejt, në një formë ta mbulojmë me gjëra sajuese, se sa ta pranojnë realitetin. Ata që nuk ishin të gatshëm të ballafaqoheshin me realitetin dje dhe sot, dezinformonin dhe dezinformojnë opinionin me qëllim të deformimit të rolit dhe karakterit kombëtar politik dhe revolucionar të demonstratave të asaj pranvere të madhe- historike, pa dyshim më vonë edhe karakterin kombëtar e çlirimtar të bijve tanë sot, të cilët ishin rreshtuar në radhët e lavdishme të UÇK-së.

Demonstrata e vitit 1981, ishte grushti përfundimtar që goditi Jugo-serbinë pushtuese mbi Kosovë. Flamurtarët e asaj pranvere (bijtë tanë), kishin punuar gjatë kohë për një ditë si kjo, ata sollën 11 marsin (pas demonstratave të fuqishme të vitit 1968), ku në fushën e lavdisë, kishte rënë nxënësi Murat Mehmeti, në vazhdimësi me përpjekjet e shqiptarëve, duke u përballur me vuajtje e persekutime që ish pushtuesi serbo-jugosllav ushtronte dhunshëm dhe në kontiunitet mbi shqiptarët, si: me varfëri e diskriminim, me shtypje e degradime, me vrasje e arrestime, me zhbërje e likuidime, me dhunime e përdhunime, deri edhe me spastrimet etnike e masa gjenocidi ushtruar mbi shqiptarët, që i deportonte nga tokat dhe shtëpitë e veta, nga qielli dhe dielli i vet e kështu me radhë. Në pranverën e madhe të vitit 1981, në fushën e nderit ranë 11 demonstrues, si:

1- Asllan Pireva

2- Naser Hajrizi

3- Xhelal Maliqi

4- Salih Abazi

5- Salih Mulaku

6- Ruzhdi Hyseni

7- Rizah Matoshi

8- Sherif Frangu

9- Nesimi Dervishdana

10- Ibrahim Krasniqi

11- Afrim Abazi

– Në mesin e demonstruesve shqiptarë, kishte edhe mbi 300 demonstrues tjerë të plagosur!

Saktësojmë këtu më së një herë se:

1). Demonstratat e Kosovës i ka organizuar populli ynë liridashës, bijat dhe bijtë tanë më të mirë që ndër vite lanë rininë- vitet më të bukura të jetës së tyre, lanë shëndetin dhe jetët e tyre brenda kazamateve serbo-jugosllave. Demonstratat e Kosovës i ka përgatitur dhe ngritur gjaku i popullit tonë derdhur për liri, vaji i nënave, nuseve dhe motrave tona, vaji i fëmijëve tanë, rritur në skamje e mjerim, shtypja e përditshme nga pushtuesi gjakatarë… kjo është e vërteta e madhe dhe mohimi i saj nga bukëshkalës e plëngprishës, do duhej të ishte mallkuar dhe ndëshkuar nga kombi ynë.

Nuk kishte interes as Serbia, madje as Rusia, që ta shembte sistemin e vet sundues mbi trevat tona, Serbia nuk ishte aq e marrë për të humbur përfitimet e saja materiale nga Kosova, nuk kishte interes që t’i rrokte armët e të luftonte me shqiptarë, jo. Serbia ndihej më rahat, kur shfrytëzonte pasuritë e Kosovës, si minierat, rrymën, prodhimin, fuqinë punëtore, tatimet dhe taksat tjera, me një fjalë pasurinë nën dhe mbi tokësore të Kosovës. Serbia ndihej më rehat, kur një dorë shqiptarësh plëngprishës i shërbenin asaj me devotshmëri, se sa kur shqiptarët ia kthyen Serbisë pushkët e lirisë!…

2). Demonstratat e vitit 1981, nuk ishin të parakohshme, në fakt ato ishin të vonuara, ani pse të lara me gjak. Kush imagjinonte se do ndaheshim pa gjak nga pushtuesi Serb, e kishte gabim sa ishte i madhe- koha vërtetoi katërçipërisht këtë, shih luftën e fundit në Kosovë. Po të mos jehonin demonstratat e përhershme në Kosovë, revoltat, burgosjet, grevat e minatorëve, mosbindja dhe mos dëgjueshmëria qytetare, lufta dhe rëniet heroike të trimave tanë, Serbia edhe sot do të ishte ulur këmbëkryq në Kosovë, dhe nuk do të kishte asnjë arsye që të largohej nga Kosova. Pra, u desh të kërciste pushka, të derdhej gjaku rreke, në mënyrë që të dëgjohej gjithandej botës liridashëse, zëri ynë për liri. Kush mendon ndryshe, shpirti tij prej robi, ende nuk është çliruar, të tillët ishin dhe qofshin të mallkuarit e përhershëm të kombit tonë!…

3). Demonstratat e vitit 1981, nuk ishin spontane, ato ishin shumë mirë të menduara, dhe gjatë kohë të përgatitura nga brezi i viteve të gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta e këndej, janë me mijëra zemërluanë të kombit tonë që dhanë gjithçka, madje edhe jetën për ditët e sotme- përkulje të thellë para veprës së tyre. Ata ishin mishërimi i së madhërishmes sonë, që nga Lidhja e Prizrenit e më herët deri me 1999, dhe falë atyre, ne kishim rrugën e trasuar, vetëm duhej të marshonim furishëm nëpër te. Demonstrata e vitit 1981, ishin fillimi i fundit të shembjes së gërmadhës së ashtuquajturës Jugosllavi, që ishte instaluar dhunshëm mbi Kosovë dhe kjo shembje u bë njëherë e përgjithmonë, u bë falë pushkëve të Ushtrisë sonë Çlirimtare.

11, mars 2026

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …