Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava u ka bërë thirrje liderëve politikë për më shumë unitet, gjatë mesazhit të tij me rastin e Fitër Bajrami, duke theksuar se interesat e shtetit dhe të shoqërisë duhet të jenë gjithmonë prioritet. Besimtarët myslimanë në Kosovë dhe në mbarë botën po festojnë sot këtë festë të madhe, e cila shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe vjen si një moment gëzimi, falënderimi dhe reflektimi pas një periudhe përkushtimi dhe sakrifice. Manifestimi qendror në Kosovë u mbajt në Xhamia e Madhe, ku qindra besimtarë u mblodhën që në orët e hershme të mëngjesit për të falur namazin e sabahut dhe më pas atë të Fitër Bajramit. Programi nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Hetem Sopjani, ndërsa ligjëratën tematike e mbajti Ibrahim Beqiri. Namazit të Fitër Bajramit i priu Vedat Sahiti, ndërsa hytben qendrore e mbajti Myftiu i Kosovës. Në mesazhin e tij, Naim Tërnava theksoi rëndësinë e paqes, solidaritetit dhe bashkëjetesës, duke bërë thirrje që këto vlera të reflektohen edhe në jetën institucionale dhe politike në vend. Ai u bëri apel liderëve politikë që të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe bashkëpunim, në funksion të interesit të përgjithshëm. Fitër Bajrami, përveçse shënon fundin e agjërimit, mbetet një simbol i fuqishëm i mëshirës, humanizmit dhe kujdesit për njëri-tjetrin, duke forcuar lidhjet shoqërore dhe shpirtërore në komunitet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
