ANIF ALI MUJI (18.07.1964 - 31.03.1999)

ANIF ALI MUJI (18.07.1964 – 31.03.1999)

Anif Ali Muji lindi më 18 Korrik 1964 në fshatin Struzhë të komunës së

Prizrenit.

Si fëmijë ai u dallua në shkathtësitë e tij dhe përkushtimin për dije dhe shkollim, kështu pas mbarimit të shkollës fillore “Meto Bajraktari” në fshatin Struzhë, ai vazhdoi shkollimin e mesëm, drejtimi Pedagogji ku edhe e kreu në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prizren.

Duke treguar sukses dhe vendosmëri tashmë të një djaloshi të pjekur ai regjistroi edhe studimet e larta në degën PROGRAM FILLOR ku edhe u diplomua.  Përveç përkushtimit të tij për t’u shkolluar,  ai kishte pasion edhe letërsinë. Anifi merrej me shkrime letrare, kryesisht shkruante poezi. Por meqë gjatë luftës shtëpia e tij u demolua në tërësi nga paramilitarët serb, bashkë me shumë gjëra me vlerë iu zhduken edhe dorëshkrimet e tij.

Në vitet e ‘90-ta, kur arsimi në gjuhën shqipe në Kosovë përballej me shtypje e ndalime, Anif Muji ishte ndër ata mësues që nuk e ndalën mësimin.

Në kushte të vështira, shpesh në shtëpi private, ai dhe kolegët e tij mbanin gjallë shkollën shqipe, duke e konsideruar arsimin si formën më të fuqishme të qëndresës kombëtare.

Krahas arsimit, Anif Muji u angazhua edhe në veprimtari patriotike për çlirimin e vendit nga okupimi serb.

Punoi mësues në fshatin e lindjes nga viti 1984 ndërsa gjatë viteve ’90-të emërohet drejtor i shkollës në fshatin Struzhë.

Duke e ditur rrezikun që sa vinte e shtohej nga pushtuesi serbo-sllav, Anifi njëkohësisht kishte filluar të merrej me sensibilizimin e popullatës dhe përgatitjet për luftë të armatosur.

Duke i njohur aftësitë e tij organizative fshati e caktoi edhe udhëheqës lokal, ishte njeri i respektuar dhe i fjalës. Anifi herët i kishte kuptuar lëvizjet për organizim për çështje atdhetare, kështu ai vazhdimisht ëndërronte dhe priste momentin e duhur për ta realizuar vullnetin e tij për të mirën e Kombit Shqiptar.

Shkolla ku ai punonte nuk ishte vetëm një çerdhe e dijes, ishte një lloj organizimi dhe ruajte e vlerave kombëtare e atdhetare.

Aktivitetin e tij kishte hetuar policia armike dhe disa herë e arrestuan dhe e torturuan në mënyrë çnjerëzore por Anifi ishte i vendosur në idealin e tij për çlirim dhe për bashkimin e trojeve shqiptare.

Me shpërthimin e Luftës Çlirimtare të Kosovës, gjegjësisht në vitet 19981999,  Anif Muji i cili thellë brenda vetes ushqente dashuri pa fund për atdheun, ai me 10 Qershor të vitit 1998, në fshatin e lindjes iu bashkua Luftës Çlirimtare duke u rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Brigadën 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, për ta dhënë kontributin në të mirë të vendit.

Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai u betua që nëse do të ishte nevoja edhe të flijohej për çlirimin e trojeve shqiptare.

Mori pjesë në mbrojtjen e fshatrave dhe pozicioneve strategjike ku shumë bashkëluftëtarë ranë heroikisht dhe ku shumë civilë u detyruan të largoheshin dhunshëm nga shtëpitë e tyre si pasojë nga okupatori.

Anifi ishte i disiplinuar në detyrat dhe përgjegjësitë që i caktoheshin kudo dhe kurdo. Lufta ishte e ashpër: shpërngulje masive, djegie fshatrash dhe ofensiva të fuqishme nga okupatori serb. Në këtë kontekst, guximi i tij dallohej jo vetëm në betejë, por edhe në mbrojtjen e civilëve dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Sakrifica e Anif Mujit ishte për çdo lëvdatë, jeta e tij kishe fare pak rëndësi në raport me peshën e mbrojtjes së familjes, fshatit dhe mbarë vendit.

Anif Muji ra heroikisht në Altarin e Lirisë, duke flijuar edhe jetën për të mirën e Kombit Shqiptar më: 31 Mars 1999, gjatë ofensivave serbe në rrethin e Prizrenit. Rënia e tij tronditi banorët e Struzhës dhe të gjithë zonës përreth, pasi ai njihej si një ndër figurat më të respektuara të komunitetit si mësues, prind, dhe njeri i devotshëm për kombin.

Ai u varros fillimisht në vendlindje, pas luftës u shpall Dëshmor i Kombit nga Institucionet e Republikës së Kosovës dhe u rivarros për të pushuar bashkë me shokët e tij të idealit e të Luftës Çlirimtare në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.

Familja, bashkëluftëtarët dhe qytetarët e fshatit Struzhë e kujtojnë këtë ditë si moment krenarie dhe dhimbjeje të thellë, duke e vendosur emrin e tij ndër të paharrueshmit të historisë së vendit.

Anif Muji, la prapa vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë, dy vajza e një djalë. Emri i tij iu vendos shkollës në fshatin Struzhë, vendlindja e Heroit, në këtë shkollë ai kishte ushtruar detyrën e mësuesit dhe drejtorit të shkollës, kështu kontributi i tij do të vazhdojë për t’i ruajtur vlerat dhe trashëgiminë e tij për brezat e rinj.

Më 10 Mars 2020 iu dha urdhri: “Hero i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në një manifestim solemn në qytetin e Prizrenit.

Anif Muji mbetet shembull i rrallë i mësuesit që e shndërroi diturinë në armë lirie.

Brezi i ri e njeh sot si figurë që përfaqëson: guximin e arsimtarit shqiptar, qëndresën ndaj padrejtësisë, dhe besimin se liria fitohet me dije e me sakrificë.

Rruga jetësore e Anif Mujit është rrëfim për lidhjen e pashkëputshme ndërmjet arsimimit dhe atdhedashurisë. Nga banka e shkollës deri te rënia në fushën e nderit, ai mbeti besnik ndaj dy idealeve më të mëdha: diturisë dhe lirisë.

Emri i tij mbetet i gdhendur në kujtesën kombëtare si dëshmor, mësues dhe bir i denjë i Kosovës.

Të tre fëmijët vazhduan rrugën e edukimit dhe u shkolluan në Kosovën e Pavarur, ndërsa vajza e tij T.M, vazhdoi rrugën e poezisë dhe angazhimit publik.  Sakrifica e tij mbetet një frymëzim për të gjithë shqiptarët: jo vetëm për guximin në luftë, por edhe për përkushtimin ndaj edukimit, atdheut dhe lirisë.

Për ta mbajtur gjallë kujtimin për figurën e tij, çdo vit në datën e rënies organizohen homazhe dhe aktivitete në të cilat nderohet sakrifica e tij për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve shqiptare.

Lavdi veprës së lartë heroike të Dëshmorit Anif Ali Muji!

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës për të cilin derdhi gjakun dhe sakrifikoi jetën e tij! (Teuta Anif Muji)

Kontrolloni gjithashtu

Jashar Zejnullah Jashari (16.3.1962 - 29.3.1999)

Jashar Zejnullah Jashari (16.3.1962 – 29.3.1999)

Më 16 mars të vitit 1962, prindërve Zenullah e Zejnie Jasharit, nga fshati Strofc i …