Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se në Kuvendi i Kosovës ekziston hapësirë reale për zgjidhjen e çështjes së presidentit, por kjo, sipas saj, kërkon vullnet politik dhe respektim të parimeve kushtetuese. Ajo theksoi se aritmetika parlamentare e bën të mundur arritjen e një marrëveshjeje, duke nënvizuar se shumica ekziston, por duhet reflektim nga partia në pushtet. Sipas Lushaku-Sadriut, Lëvizja Vetëvendosje duhet të tregojë fleksibilitet dhe kreativitet për të ofruar zgjidhje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe partitë e tjera politike në proces. “Kur i sheh numrat në Kuvend, normalisht që ka hapësirë për zgjidhje. Sepse është matematikë. Numrat, shumicën i ka Vetëvendosje. Po të ketë vullnet politik dhe të jetë në harmoni me obligimet që ia cakton Kushtetuta dhe rolin e saj në Kuvend, mund të bëhet kreative me zgjidhje dhe mund t’u ofrojë partive që kanë numrin e mjaftueshëm të votave”, ka deklaruar ajo. “S’është e pranueshme që të imponohen kandidatët nga partia në pushtet. Të shkosh në seancë me dy kandidatë të Vetëvendosjes nuk është demokratike dhe bie ndesh me deklarimet e kryeministrit se nuk do të ketë kandidatë me libreza partiake”, tha Lushaku-Sadriu.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
