Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka ngritur alarmin për gjendjen financiare të komunave në Kosova, duke theksuar se problemet e trashëguara nga viti i kaluar po vazhdojnë të rëndojnë funksionimin e tyre. Sipas tij, vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, mbi 31.5 milionë euro janë tërhequr nga llogaritë e komunave, kryesisht për shkak të obligimeve që rrjedhin nga zbatimi i kontratës kolektive. Ai theksoi se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në pamundësinë për realizimin e projekteve kapitale dhe në përkeqësimin e shërbimeve për qytetarët. Ibrahimi paralajmëroi se pasojat janë të shumëfishta, duke filluar nga vonesat në investime infrastrukturore deri te kufizimi i kapaciteteve të komunave për të ofruar shërbime bazë. Ai veçoi Prizrenin si komunën më të prekur, ku sipas tij janë tërhequr rreth 12 deri në 13 milionë euro vetëm në këtë periudhë, duke e vendosur atë në një pozitë të vështirë financiare. Në këtë kontekst, ai bëri thirrje për zgjidhje institucionale dhe koordinim më të madh ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, në mënyrë që të parandalohet thellimi i krizës financiare dhe të mbrohet interesi i qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
