Ramush Haradinaj: Kurti e ka zgjedhur rrugën e zgjedhjeve, po e zvarrit procesin për presidentin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se qëllimisht ka vendosur ta çojë vendin drejt zgjedhjeve, duke mos siguruar paraprakisht një marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit. Duke folur para seancës së Kuvendit për këtë çështje, Haradinaj tha se ofertat e bëra nga Kurti nuk janë reale, por sipas tij, shërbejnë vetëm për të shpenzuar kohën e mbetur pa arritur një zgjidhje konkrete. “Nuk besoj që është ofertë serioze. Qëllimi nuk është marrëveshja, por shfrytëzimi i kohës që ka mbetur pa kryer obligimet. Kurti ka vendosur të shkojë në zgjedhje që në momentin kur ka formuar Qeverinë pa krijuar koalicion për presidentin,” u shpreh ai. Haradinaj shtoi se mungesa e bashkëpunimit me opozitën është reflektuar edhe në vendimmarrje të tjera të rëndësishme, si votimi i buxhetit, ku sipas tij nuk ka pasur asnjë përpjekje për marrëveshje për projekte konkrete. Ai e cilësoi qasjen e Kurtit si “kamuflazh politik”, duke e akuzuar se po e çon vendin drejt zgjedhjeve me kalkulime elektorale. “Për fat të keq, ai po tallet me të gjithë, me gjithë Kosovën. Ka përgatitur edhe një paketë financiare që synon të shpërndahet pak para zgjedhjeve, me shtesa dhe përfitime të tjera,” tha Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku feston rezultatin zgjedhor: “Hovin s’ka mujt me ma ndalë Serbia, e më së paku Albini”

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur kënaqësinë e tij me rezultatin e …