Albin Kurti nis fushatën për presidentin, fajëson opozitën ndërsa vendi mbetet pa zgjidhje

Ndonëse kanë mbetur vetëm tri ditë deri në afatin për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur t’i drejtohet publikut me akuza ndaj opozitës, në vend se të paraqesë një marrëveshje konkrete që do ta nxirrte vendin nga ngërçi institucional. Në një adresim publik, Kurti tha se ka ofruar bashkëqeverisje me LDK-në, duke përfshirë postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, si dhe një marrëveshje me PDK-në për postin e kryetarit të Kuvendit. Sipas tij, të dyja ofertat janë refuzuar. Ai fajësoi kryetarët e opozitës, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, duke thënë se nuk duan përgjegjësi, por vetëm largimin e tij nga pushteti. Megjithatë, deklaratat e Kurtit po shihen si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga mungesa e shumicës parlamentare dhe dështimi për të siguruar konsensus për çështjet kyçe shtetërore. Kritikat ndaj opozitës vijnë në një moment kur përgjegjësia kryesore për funksionalizimin e institucioneve bie mbi partinë që ka fituar zgjedhjet dhe udhëheq qeverinë. Në vend të retorikës politike dhe akuzave publike, qytetarët presin zgjidhje konkrete, stabilitet institucional dhe përgjegjësi shtetërore. Me afatin që po afrohet, mbetet të shihet nëse vendi do të ketë president të ri apo do të futet sërish në krizë politike.

Kontrolloni gjithashtu

EUCOM dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë mbajtur Bordin e parë të Ndërveprimit të Komandës dhe Kontrollit

Partneritetet Ndërkombëtare C4 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Forca e Sigurisë …