Nënë.. ! – Sot më thanë xhandarët
Dy orë jetë, më paskan mbetur
Ndërsa jashtë po ngrejnë litarët
Qafës time për t’ja hedhur
——
A të kujtohet nënë e dashur…
Kur merrje doçkat e mia ?
Dhe me babën të dy bashkë
Bënit dhe ju, si unë fëmia..?
——
E mban mënd, ç’më the në arë
(Teksa ecnim mbas parmëndës)?
Bir ! Kjo tokë me gjak ësht’ larë
Ndaj dhe ka, vetinë e nënës .
——-
Kush t’ju jap lajmin e parë
Ma shihni…. në dritë të syrit
Nuk më lindët, për t’më qarë
Vajet…nuk i shkojnë trimit !
—–
Ja ! Po dëgjoj hapat e rënda
Nënë ..!- Tashmë do t’më marrin
Laps nuk kam, veç fimos me gjak
Para, se t’më tundë litari
——–
Dhe mos pyet, kush ish pranë
Se si ti, ka mijëra nëna !
Mbahu fort, bashkë me babën
Më qajnë yjet…. më qan Hëna
—-
Armiku, në ardhtë te porta
E t’ju thotë:- Ku e kini djalin?
Kurrë, mos e futni brenda!
Por me dorë, tregoni malin !
—-
Të puth syrin nëna ime
Ata sy, që më dhan’ jetë
Po dhe ballin e babait
Si shqiponja përmbi retë
—-
Ja !…Erdhën nënë e tash skam kohë
Veç thuaju shokëve prej meje
Jam me ta pa jetë …veç i gjallë
Në të kuqin gjak, që u vlon në deje !
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
