Dëshmorët e kombit, vëllezërit, Blerim Kelmendi e Bekim Kelmendi, janë pasardhës të Rexhajve të Shkrelit, të cilët e kanë treguar trimërinë e tyre gati dy shekuj ne luftë me armikun, në mbrojtje të kufirit me Malin e zi, duke lënë gjurmë të pashlyeshme ne historinë tonë kombëtare. Të frymëzuar ne atdhedashuri dhe trimëritë e Adem Isufit e Rexhë Avdise, Hajdar Fekut e Haradin Fekut, kushëri e vëllezër të babait te tyre, dhe trimave të tjerë Rugovas, kur filloi ata pa kurrfarë hezitimi iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rënë edhe në altarin e lirisë për të mos te vdekur kurrë!
Blerim Kelmendi lindi më 30 shtator 1977 në fshatin Llabjan, komuna e Pejës. Shkollën fillore e kreu në Zahaq. Më tutje, për shkaqe ekonomike, nuk mundi të vazhdojë. Prindërit, Halil dhe Xufe Kelmendi kishin shtatë fëmijë: tre djem dhe katër vajza. Lufta që po përhapej anekënd Kosovës sikur ia bënte zemrën bjeshkë Blerim Kelmendit. Ai jetonte më këtë dhe për këtë. Që në ditët e para të sajë, të luftës pra, ai ju bashkëngjit radhëve të saj. Është data 10 prill 1998 kur u gjend në radhët e saj, pikërisht në Gllogjanin legjendar.
Në fillim iu besua detyra e transportuesit. Më punën e tij të palodhshme që bëri në përcjellje dhe furnizim, bëri për vete eprorët, të cilët edhe e çmonin. Një kontribut të veçantë e dhe edhe në formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Meritat e tij ishin të dukshme. Me vullnet të çeliktë merrte detyrat dhe me po atë vullnet i kryente ato. Ishte i njohur me nofkën ” Rusi”. Ky ishte morali i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën komandën e Komandantit Ramush Haradinaj.
Por, ashtu si çdo njëri, si çdo luftëtar, që ka vetëm një ditë të lindjes dhe një ditë të vdekjes, kjo e fundit i erdhi Blerim Kelmendit pikërisht me 3 prill të vitit 1999, në fshatin Dobrushë të komunës së Istogut, diku rreth orës 9 e 30 minuta të mbrëmjes. Zhvillohej një luftë e ashpër në mes të forcave serbe dhe njësive të UÇK-së, kur ra heroikisht dëshmori Blerim Kelmendi, ndërsa u plagos rëndë Komandanti i Kompanisë Vllaznim Berisha, u plagos lehtë Gazmend Kelmendi. Aty ishte edhe eprori, Qerim Berisha, Feriz Çeta dhe disa pjesëtarë tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Trupi i dëshmorit u gjet në varrezat e Pejës dhe më pastaj u varros në fshatin e tij, në Llabjan. (Sokol Kelmendi)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
