Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: QËSHTJA KOMBËTARE, PËRVJETORËT E DËSHMORËVE DHE FUSHATA ZGJEDHORE

Përvjetorët e vlerave dhe të krenarisë kombëtare! Si zakonisht, luftëtarët e UÇK-së, bashkë me familjet e dëshmorëve, organizohemi dhe mbajmë tubime në salla kulture, sheshe pranë pllakave përkujtimore, lapidarëve e shtatoreve, pranë varrezave dhe në vendngjarjet e betejave!

Gjithnjë me protokoll; vendosen kurora me lule, bëhen nderime e përulje, fillojmë me Himnin Kombëtar dhe renditjen e folësve. Ulen në vendet meritore, në rreshtat e parë, dhe fillojmë me përshëndetjet duke i nderuar të pranishmit me tituj e pushtet, pa marrë parasysh nëse kanë qenë luftëtarë apo kundër luftës atëherë, si dhe kundër vlerave të luftës sot.

Janë pikërisht ata që shpesh janë kundër luftëtarëve që sollën lirinë dhe i nëpërkëmbin këto kategori: luftëtarët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve!

Luftëtarët nuk kërkuan kurrë privilegje, përveç ligjeve për mbrojtjen dhe mos përbuzjen e këtyre vlerave, ruajtjen e dinjitetit dhe mundësinë për jetë normale, pa kriza që çojnë deri në vetëvrasje!

Kërkesat ishin dhe mbeten: t’u sigurohet strehë, transport, shëndetësi, mundësi ushqimi e shkollimi për familjet, lirime nga taksat, uji, mbeturinat dhe një pjesë nga rryma elektrike. T’u mbrohen simbolet dhe uniformat e luftës, të sigurohen me ligj muzetë e luftës, si dhe të shkruhen e të mësohen në librat shkollorë historia më e lavdishme e UÇK-së!

Në këto përvjetorë ua shpjegojmë pasardhësve betejat, luftën, vështirësitë dhe mangësitë në armatim, mungesën e furnizimeve me ushqim, veshmbathje dhe strehim, si dhe oraret e stërzgjatura në roje dhe në vijat e zjarrit, pa luftëtarë të mjaftueshëm për ndërrim, shpesh me të njëjtat armë. Aq sa u bë slogan i të gjithë luftëtarëve:
“Vetëm bukë dhe barut na duhet!”

Luftë e pabarabartë dhe me shumë vështirësi e rreziqe, me pak armë dhe ato të lehta, me pak municion dhe me numër të vogël luftëtarësh.

Karshi atyre që për 150 vite mbanin të okupuar çdo pëllëmbë me struktura të sofistikuara pushtuese, me 160 mijë deri në 180 mijë ushtarë, policë e paramilitarë armikë, me mbi 300 tanke, helikopterë, avionë luftarakë, praga, minahedhës, autoblinda e maune luftarake, me municion, predha e raketa të bollshme. Megjithatë, luftëtarët e UÇK-së, bashkë me aleatët, e fituan luftën dhe e sollën lirinë!

Edhe pse ishim fitimtarë dhe çlirimtarë, ne u konsideruam nga anti-lufta, kolaboracionistët dhe kuislingët, nga pasardhësit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Luftëtarët e lirisë u nënçmuan dhe u denigruan totalisht nga pushtetarët në Kosovën që e çliruan vetë këta luftëtarë; pa trajtime mjekësore, pa proteza, pa strehë e pa mundësi jetese. Mbi 100 ish-luftëtarë kanë bërë vetëvrasje!

Shumica e luftëtarëve u detyruan ta lëshojnë Kosovën dhe të emigrojnë për të siguruar kafshatën e gojës, duke ia kthyer shpinën Kosovës për të cilën luftuan, derdhën gjak dhe lanë gjymtyrët për lirinë e atdheut.

Atdheun të cilin sot po e udhëheqin disa bashkëluftëtarë të tjetërsuar, të rrethuar nga spiunë dhe bijtë e tyre. Shumë prej tyre i verboi pushteti, pozitat dhe privilegjet; i harruan bashkëluftëtarët dhe amanetin e dëshmorëve. Për këta të fundit u bie ndërmend vetëm kur u duhen votat dhe kur kanë nevojë për imazh, duke u veshur me vlerat e luftës!

Prandaj, në kohë fushate, vrapojnë e marrin pjesë në tubime, përulen pranë dëshmorëve dhe ua rrahin shpinën luftëtarëve për të marrë poenë dhe vota në zgjedhje, ndërsa më pas nuk bëjnë asgjë për votuesit dhe militantët e tyre të pandashëm!

Një kategori vjen dhe i respekton në mënyrë fallco dëshmorët, por i urren luftëtarët e mbetur gjallë nga lufta. Këta nuk u bëjnë nder dëshmorëve dhe më mirë do të ishte të mos vinin fare te varrezat. Sot, këta janë shumicë edhe në vota, edhe në vendimmarrje; sa më kundër vlerave të luftës e kundër luftëtarëve, aq më shumë marrin vota!

Anti-lufta, anti-shteti dhe kundërshtarët e sovranitetit e integritetit janë aktivizuar më shumë se kurrë. Kolona e pestë ka arritur t’i kapë televizionet, portalet, analistët dhe deri Parlamentin e Qeverinë. Harrova… nuk kemi as Parlament, as Qeveri e as President!

Pushtetarët partiakë dhe oligarkët nuk duan të marrin përgjegjësi, nuk duan të merren vesh për ta qeverisur vendin! Ky takëm nuk e ka hallin e Kosovës, por hallin personal dhe interesat e grupeve të tyre meskine partiake!

Këta e mbajnë peng Kosovën dhe pranë greminës tash e dy vite; organizojnë zgjedhje dhe prapë zgjedhje, por kurrë nuk merren vesh mes vete. Kur nuk merren vesh mes vete, si mund të merren vesh me aleatët dhe si të mos humbin miliona nga mosfunksionimi i shtetit dhe strukturave të tij?

Këta matrapazë e rrezikojnë Kosovën nga brenda, pa e përjashtuar rrezikun e jashtëm nga armiku, të cilit po ia lënë derën pak të hapur me këto rrëmuja!

Prandaj nuk duhet më, as për një çast, t’i tolerojmë që pas këtyre zgjedhjeve ta mbajnë peng Kosovën dhe ta rrezikojnë funksionalitetin e shtetit, pavarësisht pengesave kushtetuese!

Fajtorët janë politikanët matrapazë që nuk munden dhe nuk duan të merren vesh!

Dua t’ju kujtoj misionin e OVL-së dhe të ish-luftëtarëve që janë mbi partitë politike!

Për çështjen e atdheut – pa kompromise!

Ka ardhur koha t’i dalim zot atdheut, sikur atëherë kur iu dolëm përballë armiqve dhe u rreshtuam në UÇK, në kolonën e lirisë!

Tani të mblidhemi pranë ndërtesës së Parlamentit dhe të Qeverisë, jo për t’i shtruar kërkesat tona që kurrë nuk u realizuan, por për t’u dhënë ultimatum politikanëve që, pas këtyre zgjedhjeve, të gjejnë zgjidhje!

Ose do ta formojmë ne, ish-luftëtarët, një Qeveri të Shpëtimit Kombëtar!

Të qeverisim një vit deri në zgjedhje dhe zgjidhje të mirëfillta!

Kjo qeveri do të merrte shumë vendime që do t’i aprovonte parlamenti i parë që do të vinte pas një viti!

Përndryshe, atë që e fituam me luftë po e shkatërron kolona e pestë, në krye me Surrojin, Batonin, Blerimin, Shkelzenin, Merovcin, Spahinë, Vllasin e shumë të tjerë që çmontojnë dhe mohojnë vlerat kombëtare e çlirimtare!

Ky takëm, bashkë me padronët e tyre, duan ta rikthejnë Kosovën nën tutelën e Serbisë, duke ia lënduar dhe kthyer mbrapa subjektivitetin shtetit të Kosovës!

Duan ta kthejnë gjendjen në vitet para luftës, siç po ndodh në Maqedoninë e Veriut, ku të drejtat e shqiptarëve po rikthehen në gjendjen para Marrëveshjes së Ohrit, para vitit 2001.

Në vend se ta çojmë përpara çështjen kombëtare dhe të bashkohemi në një shtet të vërtetë në Shqipërinë e ribashkuar, ta ribashkojmë kombin e ndarë dhunshëm!

Armiqtë duan të na i rimarrin tokat tona, ndërsa edhe miqtë shpesh pajtohen për interesa më të mëdha.

Por ne nuk guxojmë të ndalemi apo të vonohemi; duhet të ribashkohemi!

Nëse aleatët nuk na përkrahin për ribashkimin e Shqipërisë, së paku duhet të na mbështesin në krijimin e entiteteve të plota me të drejtë vetëvendosjeje për bashkim.

Opsioni tjetër është bashkimi ynë në:
Shtetet e Bashkuara Shqiptare – SHBSH!

Kjo aleatëve nuk do t’u pengonte, sepse nuk do të shkatërrohej Maqedonia e Veriut, e cila mezi qëndron. Atyre duhet t’u tregohet se shumica kanë origjinë shqiptare me besim ortodoks dhe se do të jenë më të mbrojtur e më të sigurt në federatën shqiptare.

Po ashtu, Mali i Zi do të shpëtonte nga ekstremizmi serb dhe do të ishte më i mbrojtur e më i fuqishëm në federatën shqiptare!

Gjithashtu, duhet t’i ofrohet një ofertë për bashkim edhe Greqisë, me gjithë përqindjen e madhe shqiptare – arvanitasit. Ajo do të ishte më e sigurt në federatën shqiptare dhe nuk do të rrezikohej nga Turqia, si dhe do të lirohej nga shovinizmi kishtar ortodoks, derisa dihet mirë se arvanitasit ishin dhe mbeten shqiptarë ortodoksë.

Prandaj, këtij shekulli duhet t’i vihen në vend padrejtësitë historike dhe të bashkohen trojet shqiptare në SHBSH!

Rroftë UÇK!
Rroftë bashkimi kombëtar!

11 maj 2026
Sadik HALITJAHA

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …