AAK zyrtarizon Ardian Gjinin kandidat për kryeministër

Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku janë marrë vendime të rëndësishme për rrugëtimin politik të partisë në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Sipas Haradinajt, Këshilli i Përgjithshëm ka aprovuar me shumicë votash Ardian Gjini si bartës të listës dhe mandatar për të udhëhequr me qeverinë që do të dalë pas zgjedhjeve, si dhe listën e kandidatëve për deputetë. Ai bëri të ditur se gjatë mbledhjes janë miratuar edhe ndryshime statutare, të cilat sipas tij do ta bëjnë Aleancën një organizatë më dinamike, më transparente dhe më të hapur ndaj proceseve demokratike të brendshme. Haradinaj theksoi se këto ndryshime i paraprijnë Kuvendit Zgjedhor të Aleancës, i cili do të mbahet më 24 maj, ndërsa shtoi se përgatitjet finale për këtë proces tashmë kanë përfunduar me sukses. Në takim është diskutuar edhe për mobilizimin e degëve të partisë në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “AAK është gati për garën zgjedhore dhe mbetet e përkushtuar që përmes listës së saj fituese, t’u ofrojë qytetarëve alternativën më të qëndrueshme për qeverisjen e vendit”, ka deklaruar Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraqitur të dhëna lidhur me procesin e numërimit të votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraqitur të dhëna lidhur me procesin e numërimit të votave …