Besnik Tahiri kritikon Legjislaturën e X-të: Filloi pa drejtim dhe përfundoi në krizë politike

Ish-deputeti i Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vlerësuar se Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës nisi dhe përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme. Gjatë konferencës së organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi me temën “Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës: Sfidat, krizat dhe mësimet për të ardhmen”, Tahiri tha se deputetëve u është kërkuar vota pa iu prezantuar programi qeverisës, emrat e ministrave apo struktura e kabinetit. Sipas tij, që në fillim ishte e qartë se prioritet duhej të ishte formimi i institucioneve dhe zgjedhja e presidentit, por gjatë gjithë mandatit pati më shumë përpjekje për dominim të agjendës parlamentare sesa për zhbllokim të situatave politike. Tahiri theksoi se kjo legjislaturë hyri në histori si më e shkurtra në Kosovë dhe me numrin më të madh të kërkesave për seanca të jashtëzakonshme nga shumica parlamentare. Ai deklaroi se fokusi kryesor politik ishte zgjedhja e një presidenti që i përshtatej shumicës, ndërsa shtoi se askush nuk bëri përpjekje serioze për të shmangur vendin nga zgjedhjet. Në fund, Tahiri tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishte lënë jashtë diskutimeve politike, por sipas tij, partia rezultoi ndër më aktivet në Kuvend. Ai u shpreh krenar që për të katërtin vit me radhë është zgjedhur deputeti më aktiv.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku feston rezultatin zgjedhor: “Hovin s’ka mujt me ma ndalë Serbia, e më së paku Albini”

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur kënaqësinë e tij me rezultatin e …