Shkrimtari dhe publicisti Bedri Islami ka reaguar ashpër ndaj shtyrjes së vendimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë proces si thellësisht politik dhe me pasoja të mëdha për skenën politike në Kosovë. Sipas Islamit, shtyrja e vendimit nuk lidhet me mungesë kohe apo procedura juridike, por me zhvillimet politike në Kosovë dhe frikën nga ndikimi që një vendim qoftë pafajësi apo dënim mund të ketë në zgjedhjet dhe raportet politike në vend. Ai thekson se në rast të shpalljes së pafajësisë për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të përmbysej krejt narrativa politike e ngritur ndër vite ndaj tyre dhe vetë luftës së UÇK-së. Ndërsa në rast të një dënimi, Islami paralajmëron se kjo do të shihej si goditje direkte ndaj luftës çlirimtare dhe shtetësisë së Kosovës, duke nxitur tensione të reja politike e shoqërore. Në analizën e tij, ai ngre dyshime edhe mbi mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor, duke përmendur seancat e mbyllura, dëshmitarët kontroversë dhe, sipas tij, përfshirjen e materialeve të ardhura nga shërbimet serbe. Bedri Islami vlerëson se procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ka kaluar kufijtë e një gjykimi të zakonshëm dhe tashmë lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen politike dhe historike të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
