Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar se zhvillimet dhe krizat globale po reflektohen drejtpërdrejt edhe në ekonominë e Kosovës, duke ndikuar në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët. Sipas tij, rritja e çmimeve të konsumit prej rreth 7.5% në vend është një tregues i qartë i presionit ekonomik mbi familjet kosovare, në një kohë kur në nivel global po paralajmërohet një krizë e re ushqimore. Gërxhaliu theksoi se faktorët gjeopolitikë dhe gjeostrategjikë po e dominojnë ekonominë botërore, duke zbehur ndikimin e rregullave klasike të ofertës dhe kërkesës. Ai përmendi gjithashtu ndikimin e zhvillimeve në rajone strategjike si Ngushtica e Hormuzit, duke theksuar se jo vetëm çmimi i naftës, por edhe kostoja e transportit dhe furnizimi me mallra janë bërë problematikë globale. Sipas Gërxhaliut, mungesa e hapësirave të mjaftueshme për prodhim bujqësor dhe vonesat në furnizimin me inpute si plehrat bujqësore mund të krijojnë pasoja afatgjata për sigurinë ushqimore. Ai shtoi se këto zhvillime duhet të trajtohen me seriozitet, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik dhe furnizimin me ushqim në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
