Kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami, ka akuzuar qeverinë për, siç tha ajo, propagandë të vazhdueshme rreth zhvillimit ekonomik, ndërsa sipas saj qytetarët po përballen me varfëri të thellë dhe rënie të standardit jetësor. Përmes një reagimi publik, Bajrami iu referua të dhënave të Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke theksuar se Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të varfërisë ekstreme në rajon. Sipas saj, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se rreth 10 për qind e qytetarëve në Kosovë jetojnë në varfëri ekstreme sipas pragut ndërkombëtar prej 3 dollarësh në ditë, përqindje që ajo tha se është dukshëm më e lartë krahasuar me vendet fqinje. “Derisa qe gjashtë vjet flitet për zhvillim e lulëzim ekonomik, realiteti për qytetarët është krejt tjetër. Çmimet janë rritur, inflacioni ka goditur familjet dhe jeta është bërë e papërballueshme për shumë njerëz”, ka deklaruar Bajrami. Ajo theksoi se inflacioni dhe shtrenjtimi i artikujve bazikë kanë ulur fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa shumë familje po mbijetojnë përmes kredive. Ajo shtoi se Kosova ka nevojë për debat real mbi ekonominë, zhvillimin e sektorit privat, prodhimin vendor dhe perspektivën për të rinjtë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
