Labinot Dervishaj: 18 Maj ’98 – Pika e Flamurit, kronikë e qëndresës dhe triumfit të UÇK-së

Gjashtë muaj pas daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur krismat e pushkëve në Vajnik Llaushë, Qirez e Likoshan, Prekaz dhe Gllogjan tronditën themelet e pushtimit, Kosova nisi të marrë frymë ndryshe. Ishte fryma e lirisë që po afrohej, e cila paralajmëronte një verë të zjarrtë, të mbushur me beteja, qëndresë titanike dhe gjakderdhje të pashmangshme për idealin e madh të çlirimit. Uniforma e hijshme me emblemën e artë “UÇK” nuk ishte thjesht një veshje ushtarake, ajo u shndërrua në simbol krenarie, në flamur të gjallë që rrezatonte shpresë dhe thirrje për sakrificë. Ku do në Kosovë, ajo uniformë ngjallte besim se koha e robërisë po shuhej dhe se brezi i ri i luftëtarëve po shkruante me gjak e guxim kapitullin më të lavdishëm të historisë kombëtare.

Ditët e marsit, prillit dhe majit 1998 u shndërruan në një epope të përgjakshme, kudo bëhej e qartë se populli nuk do të dorëzohej. Në Drenicë, Dukagjin, Llapushë, Rahovec, Llap, Shalë e më tej, uniformat e UÇK-së shndrisnin si yje në errësirën e robërisë, duke paralajmëruar se epokës se nënshtrimit po i afrohej fundi. Çdo krismë pushke ishte një akt sfide, çdo betejë një gur themeli në murin e lirisë. Në çdo rrugicë e çdo kodër, jehona e pushkës shqiptare përhapej si një thirrje e fuqishme që zgjonte ndërgjegjen kombëtare dhe ngjallte besimin se sakrifica e sotme do të bëhej dritë e nesërme për brezat që vijnë.

Më 18 maj 1998, tek Pika e Flamurit në Çitak të Drenicës, në rrugën Mitrovicë–Pejë, historia u shkrua me gjak e lavdi. Forcat serbe, të pajisura me makineri të rënda lufte, synuan ta pushtonin fshatin, të shkatërronin shtëpitë dhe të masakronin civilët shqiptarë. Por në ballë dolën shqiponjat e UÇK-së, të udhëhequra nga komandanti Abedin Rexha – Sandokani. Lufta shpërtheu e ashpër, e pabarabartë në mjete, por me avantazh për guxim e vendosmëri për trimat e lirisë. Flamuri kuqezi nuk u përkul, por valoi krenar mbi Piken e Flamurit, duke shpallur fitoren e një populli që nuk dorëzohet. Në atë ditë, krismat e pushkëve u shndërruan në këngë lirie që do të jehonin brez pas brezi, duke dëshmuar se Kosova nuk pranon të jetojë më nën robëri.

Sandokani, trim mbi trimat, hyri në kullën e Kadrisë dhe prej aty i tmerronte pushtuesit, duke marrë hakun e shokëve të rënë në Prekaz, Qirez e Likoshan. Helikopterët serbë, autoblindat dhe granatat nuk mundën të thyenin murin e gjallë të luftëtarëve shqiptarë. Granatimet dridheshin shtëpitë, raketat shkatërronin muret, por zemrat e luftëtarëve mbetën të pathyeshme. Lufta vazhdoi deri në orën 16:00, kur forcat serbe u tërhoqën të turpëruara, duke lënë pas dhjetëra të vrarë e të plagosur. Ndërsa ushtarët e UÇK-së, të gjithë të gjallë e të paprekur, u përqafuan në mbrëmje, duke festuar një fitore të pastër e të ndritur. Në atë mbrëmje, qielli i Drenicës u mbush me yje që dukeshin sikur përkulnin dritën e tyre mbi trimat, duke i shpallur ata si rojtarë të përjetshëm të lirisë. Fitoret e tilla nuk ishin vetëm ushtarake, por edhe shpirtërore, ato ngulitën besimin se atdheu po ecte drejt agimit të tij të madh.

Në këtë betejë u dalluan trimat e Brigadës 112, një ndër brigadat e para të krijuara në Kosovë, e cila më vonë do të mbante emrin e dëshmorit Arben Haliti. Fitorja ishte fryt i bashkimit të luftëtarëve nga Çitaku, Pemishta, Leqina, Kastrioti, Izbica, Kllodernica, Shpati, Vajniku, Buroja, Ozdrimi e fshatra të tjera, që u bënë një trup i vetëm në qëndresë. Ata dëshmuan se liria nuk është dhuratë, por fryt i gjakut dhe sakrificës kolektive. Ky bashkim i fuqishëm i zemrave dhe pushkëve shqiptare tregoi se kur populli ngrihet si një trup i vetëm, asnjë armik nuk mund ta thyejë atë. Drenica u shndërrua në një simbol të guximit dhe organizimit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës çlirimtare.

Trimave në luftë u buzëqesh fati, dhe fitorja rreshtohet krah tyre. Historia e UÇK-së e vërtetoi se Zoti del në krah të drejtit, duke i dhënë forcë, motiv dhe vullnet për të vazhduar deri në triumf. Lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë dhe mbetet e drejtë, e pastër dhe e shenjtë – një faqe e artë e historisë sonë, që nuk mund të njolloset nga askush. Çdo betejë e saj është një gur i çmuar në mozaikun e lirisë, një dëshmi e gjallë se gjaku i derdhur nuk ishte i kotë, por u shndërrua në themel të shtetit të ri. Kujtimi i këtyre fitoreve është amanet për brezat, që të mos harrojnë se liria ka çmimin e saj dhe se ajo duhet ruajtur me nder e përkushtim të përjetshëm.

Është paradoksale që sot, në vend të nderimit, shpesh dëgjohet gjuhë urrejtjeje ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së. Një popull që harron epopenë e tij dhe sakrificën e bijve të vet, rrezikon të humbasë dritën e së ardhmes; vetëm duke nderuar gjakun e derdhur, Kosova mund të ecë krenare drejt horizontit të saj të lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Studentët kërkojnë të drejtën e tyre të garantuar me ligj dhe kushtetutë, jo interpretime politike dhe kompromise diskriminuese

Zëvendëskryeministri Bekim Sali dhe përfaqësuesit e VLEN-it e paraqitën publikisht çështjen e provimit të jurisprudencës …