Dr. Skënder Demaliaj: MËSUESI I POPULLIT REXHEP SHPENDI GJITHË JETËN E TIJ PUNOI ME PËRGJEGJSHMËRI TË LARTË, ME DASHURI, ME PASION DHE ME VETËMOHIM PËR PËRHAPJEN DHE ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË TROJET SHQIPTARE

Dr. Skënder Demaliaj: MËSUESI I POPULLIT REXHEP SHPENDI GJITHË JETËN E TIJ PUNOI ME PËRGJEGJSHMËRI TË LARTË, ME DASHURI, ME PASION DHE ME VETËMOHIM PËR PËRHAPJEN DHE ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË TROJET SHQIPTARE

Për Rexhep Shpendin kisha dëgjuar edhe në familjen time, edhe në rrethet intelektuale të kohës. Ishte një mësues shembullor, atdhetar, me kontribut të spikatur në fushën e arsimit në Kukës e në Tropojë para pushtimit fashist italian dhe në Kosovë në vitet 1941-1949. E njoha nga afër kur u nda nga jeta, xhaxhai im Shaban Haxhia, më 27 qershor 1971. Erdhi për ngushëllim. Lotët nuk i mbante nga dhimbja. Në prani të shumë burrave të njohur të Malësisë së Gjakovës, që ndodheshin në pritje, ai foli me konsideratat më të larta për xhaxhain. E kishte njohur dhe takuar që gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pas vitit 1945, kur Shabani ishte me funksione të larta në Kosovë. Sikur nuk mjaftoi kjo, ai i la babait tim një material me 6 faqe A4, me shkrimin e tij, në të cilin fliste për veprimtarinë atdhetare të xhaxhait, për autoritetin që ai kishte në Kosovë dhe sa shumë e donin dhe e vlerësonin njerëzit në Kosovë. Në atë material kishte plot gjëra që ne nuk i dinim. E mora unë që atë ditë dhe e kam në arkivin tim personal. E ruaj si diçka të shenjtë dhe më shumë vlera. Gjithashtu kur hyra në Arkivin e Institutit të Historisë të Shqipërisë për të marrë disa dokumenta që më nevojiteshin për Bytyçin e Malësinë e Gjakovës gjeta dhe i studiova edhe kujtimet e tij. Ishin interesante, me plot fakte, ngjarje dhe analiza shkencore. E takova edhe në Tiranë, me xhaxhain tim, Binak Haxhinë para se të ndahej nga jeta. Ishte burrë i ditur, fisnik, gojëëmbël dhe i këndshëm për të biseduar me të. Ruaj mbresat dhe kujtimet më të mira për Rexhep Shpendin.

  1. Momentet më të rëndësishme të jetës së tij

Rexhep Shpend Vidrica lindi në Bujan të Malësisë së Gjakovës në shkurt të vitit 1910 në një familje atdhetare. Halla e tij, Borë Rexha u ekzekutua në Masakrën e Qerretit, në tetor të vitit 1915 nga forcat pushtuese serbe, ku u vranë gjithsej 33 persona, nga tri familje të Zherkës.

Shkollën fillore e mbaroi në Kolgecaj, në vitet 1923-1926. Për një vit përfundoi dy klasa. Pastaj vazhdoi mësimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në vitet 1926-1931. U diplomua mësues për shkollat fillore. Edhe motra e tij, Ajshe Shpendi mbaroi Shkollën Pedagogjike “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, e para mësuese në Malësinë e Gjakovës.

Punoi në viset verilindore të Atdheut: Më 1931 në shkollën e fshatit Bicaj, pastaj në Krumë, në Bujan dhe Shishtavec, ku e gjeti edhe pushtimi fashist, kundër të cilit organizoi rezistencën e malësorëve. Puna e tij si mësues u fokusua në edukimin patriotik, në rritjen e nivelit të mësimdhënies, në konsolidimin e punës në shkollat ekzistuese, në hapjen e shkollave të reja, pajisjen e nxënësve me tekste të reja shkollore e me mjetet e duhura didaktike.

Më 1941 shkoi në Kosovë, fillimisht mësues në fshatin Shtime, pastaj në Pejë e Gjakovë. U inkuadrua në Batalionin Partizan të Drenicës dhe në Brigadën e 25-të Sulmuese (nëntor 1944-prill 1945). Në prill të vitit 1945, sapo u kthye nga lufta u emërua drejtor i Shkollës Normale të Gjakovës dhe inspektor i arsimit. Është bashkëautor me Mehmet Gjevorin, Razi Brahimin në hartimin e tekstit “Abetarja për të ritur”, Prizren, qershor 1943. Drejtoi seminaret dhe kurset pedagogjike në Gjakovë dhe rrethinat e saj. U arrestua nga OZNA në Normalen e Gjakovës para nxënësve të tij, në maj të vitit 1947, ku u mbajt në burg për 17 muaj deri më 25 tetor 1948, fillimisht në burgun e Gjakovës e më pas në atë të Pejës. Për mungesë provash u lirua nga burgu dhe u caktua mësues në shkollën e mesme në Mitrovicë deri më 20 qershor të vitit 1949, ku u arrestua përsëri bashkë me të shoqen dhe qëndroi në burg deri në Korrik të vitit 1949. Pastaj e nxorën në Qafë të Morinës të Kukësit dhe e dëbuan përfundimisht nga Jugosllavia, si person të padëshiruar. Punoi në shkollat 7 vjeçare dhe të mesme në Tiranë deri në vitin 1966, kur doli në pension.

Komuna e Bujanit i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”, më 20 tetor 2006, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në përhapjen e dijes në Komunën Bujan dhe në Kosovë, metodist i talentuar i mësimdhënies, mësues i pasionuar”. U nda nga jeta, më 8 pril 1994. Ka lënë në dorëshkrim: “Vështrime historike mbi shkollën e Bujanit” dhe “Kujtime”, të cilat janë në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë.

Është i dekoruar me “Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë dhe të Dytë”, “Mësues i merituar”. Me dekretin Nr. 1934, datë 06.03.1996 iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në përhapjen e arsimit dhe në forcimin e shkollës shqipe në Malësinë e Gjakovës dhe në viset e tjera shqiptare, mësues i palodhur demokrat”.

  1. Formimi i tij atdhetar, shkencor dhe metodik në Shkollën Normale të Elbasanit

Shkolla Normale e Elbasanit, e para e këtij lloji në Shqipëri, e hapur në vitin 1909 pas vendimeve të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe të Manastirit – është fidanishtja e mësuesve para vitit 1944 dhe pas tij deri vonë.

Drejtues të saj ishin Mësuesit e Popullit: Aleksandër Xhuvani e Ahmet Gashi. Në këtë shkollë dhanë mësim përveç këtyre edhe përsonalitete të tjera në fushën e arsimit si: Simon Shuteriqi, Ismail Haxhihyseni, Vasil Andoni e të tjerë. Kjo shkollë hapi udhën e çështjes së përparimit didaktik të procesit mësimor në shkollën fillore, duke u bërë kështu edhe përhapëse e të rejave metodike, nga përvoja e pasur botërore. Një rol të rëndësishëm luajti Shkolla Ushtrimore e Normales.

Përgatitja e nxënësve në lëndën e Gjuhës shqipe ishte një nga objektivat e para. Po kështu, edukimi atdhetar nëpërmjet lëndëve të tjera si: Historia, Gjeografia, Folklori e më anë të veprimtarive brenda dhe jashtë shkollës – i përgatiti dhe i frymëzoi mësuesit e ardhshëm për të punuar në çdo cep të Atdheut me dashuri dhe përkushtim. Motoja e tyre ishte: “Dëshira ime është me i shërbye Atdheut në çfarëdo mënyre, për të mirën e të cilit nuk paraqes asnjë konditë”. Pra, kjo shkollë ndikoi fuqishëm në edukimin atdhetar, shkencor, etik dhe estetik. Në këtë mjedis u formua edhe mësuesi i ardhshëm Rexhep Shpend Vidrica.

Në vitin 1929, në kohën kur ai ishte nxënës, Ahmet Gashi me detyrën e zëvendësdrejtorit mbajti një fjalim programatik me rastin e shpërndarjes së diplomave. Këtë e kujtonte shpesh Rexhepi dhe ky qe udhërëfyes në punën e tij në vitet në vazhdim. Idetë e atij fjalimi janë aktuale edhe në ditët e sotme, pas një shekulli. Ai thotë se kemi nevojë “për mësues të aftë, me metoda pedagogjike më të reja, për t’i zbatuar në arsimin e Kombit tonë, i cili ka nevojë të madhe për ta”. Më tej, ai detyrën e mësuesit e quan “më të shenjtën e detyrave” dhe se “mjeshtëria e mësuesit ka një rëndësi të posaçme, pasi ka për barrë mirërritjen e brezit të ri, një punë kjo që është shumë e rëndë dhe e hollë”. Duke folur për misionin që i priste si përhapës të dritës, të diturisë e të kulturës anembanë vendit i porosiste dhe i këshillonte: “Do të përhapeni anekënd Shqipërisë. Ato anë presin prej jush dritën e kulturën, mos u kurseni për ato. Nëpër shkolla, ku do të mësoni, zbatoni me vullnet e dëshirë gjithë parimet e reja pedagogjike, që keni mësuar në këtë shkollë. Pasi jeni ju ata që do t’i jepni një frymë të re arsimit tonë kombëtar”. Ahmet Gashi e dha shembullin e tij si mësues me përgatitje të lartë shkencore dhe metodike dhe si patriot i madh. Në tekstin e tij “Gjeografia e Shqipërisë”, Kosovën dhe Çamërinë i quan “Shqipni e robnueme”. Kur për këtë iu tërhoq vëmendja, sepse pranë qeverisë së kohës protestuan autoritetet shtetërore serbe dhe greke, ai i tha Ministrit të Arsimit: “Unë u jap nxënësve historine dhe gjeografinë e Shqipërisë dhe jo të shtetit shqiptar”. Nxënësi gjithmonë është shembëlltyra e mësuesit. Shembull frymëzimi për Rexhep Shpendin ishte edhe drejtori Aleksandër Xhuvani, tek i cili prevaloi ideja për figurën e mësuesit, për pastërtinë e tij morale, për mjeshtërinë dhe kulturën pedagogjike dhe për cilësinë e dhënies së mësimit. Ai thoshte: “Në qoftë se ka profesion që nuk qas njerëz të vegjël e pa ideal, ky është profesioni i mësuesit…. cilido e di mirë se atëherë do të shkojë përpara arsimi, kur do të kemi mësonjës të zotë dhe me ndërgjegje të detyrës së tyre”.

Profesor Aleksandër Xhuvani shprehej me forcë për forcimin e personalitetit të lirë me mendim të pavarur e të aftë për jetën: “Kultura qendron në zbatimin e një pune të ngulët e me mendimin …. në fuqinë e guximin me mendue me kryet tonë … në fuqinë që kemi për me i ba ballë çdo probleme të re të mendjes e të punës”.

Nga bankat e kësaj shkolle dolën personalitetet e ardhshme të shkencës e të kulturës shqiptare. Më 1 maj 1944, të gjithë nxënësit e Normales së Elbasanit lanë mësimin e dolën në mal partizanë. Kjo dëshmon sa e fuqishme ishte dashuria për atdheun dhe kjo ndjenjë u realizua vit pas viti nga mësues që e donin Atdheun, duke sakrifikuar gjithçka për të, bile edhe jetën. Shkolla Normale e Elbasanit është modeli më i mirë i përgatitjes së mësuesve. Për modele e për mësues, si të asaj shkolle kemi nevojë edhe sot.

  1. Ndihmesa e tij në përhapjen dhe zhvillimin e arsimit në Kosovë në vitet 1941-1949

Në shtator të vitit 1941 nga Shqipëria në Kosovë u dërguan 200 mësues, të cilët hapën 200 shkolla në gjuhën shqipe. Të parët që shprehën dëshirën për të shkuar atje ishin Rexhepi dhe motra e tij Ajshe Shpendi. Në vitin shkollor 1941-1942 dha mësim në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, në klasën e katërt, gjithsej 43 nxënës, kurse motra e tij në vitin shkollor 1942-1943, në klasën e tretë, gjithsej 45 nxënës. Nga Kukësi shkuan për të dhënë mësim në Kosovë: Beqir Spahia, Safet Hoxha, Enver Spahia, Miftar Spahia, Rahman Palushi, Rifat Spahia, Lutfi Hoxha, Qamil Hoxha etj. Në vitet shkollore 1945-1946-1947-1948 Rexhep Shpendi ishte drejtor në Gjimnazin e Ulët Shqiptar në Gjakovë dhe jepte lëndët gjuhë shqipe dhe matematikë. Gjimnazi i Ulët ishte shkollë 4-vjeçare me katër klasa, kurse gjimnazi 3-vjeçar ishte në kuadër të shkollës 7-vjeçare. Në vitin shkollor 1946 ka patur mungesë kuadrosh, sepse ishin burgosur Dr. Sulejman Lleshi, Skënder Curri, Zef V. Nikaj si irredentistë. Pra kërkoheshin 9 profesorë për të dhënë mësim: 2 për gjuhën shqipe dhe nga 1 për lëndët: fizikë, kimi, muzikë – këngë, edukatë fizike, vizatim, histori – gjeografi, rusisht dhe serbisht. 20 mijë ekzemplarë të abetares me titull “Këndimi im i parë” u shitën në Kosovë brenda dy muajve. Kishte etje të madhe për arsimimin në gjuhën shqipe, sepse kishte munguar në kohën e Mbretërisë së Jugosllavisë.

Dhjetë fjalët “me gërma kapitale” të pedagogjisë: edukimi, arsimimi, formimi, zhvillimi, intersi, trupëria (rivlerësimi i dimensionit trupor), loja, diversiteti, pavarësia, krijimtaria, afektiviteti dhe socialiteti – ishin parimet mbi të cilat e ndërtonte punën e tij si mësues e drejtues Rexhep Shpendi. Për të, të mësuarit ishte një veprimtari në komunitet, një proces gjatë të cilit atje përçoheshin dijet dhe kultura. Kultura e përgjithshme, kultura e të folurit dhe e të shkruarit të gjuhës shqipe, kultura artistike përmes edukimit figurativ dhe muzikor ishin pjesa më e rëndësishme e kurrikulave. Zhvillimi i ideve është pjesë e trashëgimnisë intelektuale dhe kulturore. Ky ishte edhe lajtmotivi i punës së Rexhep Shpendit. Ndërtoi mënyra dhe forma pune, duke mbajtur parasysh diferencat individuale të nxënësve në përthithjen dhe dhënien e njohurive, formimin logjik dhe gjithëpërfshirjen e nxënësve në procesin mësimor, inkurajimin e tyre për punën e bërë, kualifikimin e personelit mësimor. Janë model shënimet e tij për hartimet e nxënësve: “Hartimi do të ishte më i mirë sikur të ishte elokuacioni më i kthjellët dhe periudha (fjalitë) të ishin të renditura si duhet. Pres më shumë nga ti në hartimin e radhës”.

Këta mësues punuan me përgjegjshmëri të lartë, me përkushtim dhe pasion në Kosovë, forcuan frontin unik për gjuhën amtare, kulturën dhe identitetin kombëtar. Identiteti kombëtar shqiptar, i cili përmban në vetvete: gjakun, tokën, gjuhën, historinë, traditat kontribuon në rilindjen e vlerave të mirëfillta kombëtare, në vetëdijësimin, respektimin dhe kultivimin e dashurisë. Një ndër faktorët e rëndësishëm të përcaktimit të identitetit kombëtar është përdorimi i gjuhës amtare (private, publike, zyrtare) dhe arsimimi kombëtar. Gjuha shqipe na bashkon si komb shqiptar. Identiteti kombëtar zhvillohet në familje, por në mënyrë profesionale, atë e bën shkolla me libra, me programe, në gjuhë amtare dhe mësues të veçantë. E këtu ka një meritë të madhe Rexhep Shpendi e të gjithë ata mësues që shkuan në Kosovë dhe e zhvilluan, e ndërtuan arsimin në gjuhën amtare shqipe.

Zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe në këto vite luajti një rol të madh dhe i parapriu zhvillimit të arsimit në Kosovë pas vitit 1966. U hap Universiteti i Prishtinës, u ngrit Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Ndodhi dhe u arrit ajo që parashikuan me zemër të plasur udhëheqësit serbë: “Ne iu hoqëm pushkët shqiptarëve në Kosovë dhe me hapjen e Universitetit iu dhamë topat”. Në auditorët e tij u zhvillua dhe u farkëtua më tej vetëdija kombëtare dhe identiteti kombëtar.

Epilogu

Mësuesi i popullit, Rexhep Shpendi mbeti gjithnjë shembëlltyrë e dashur, e pashlyer në ndërgjegjen e nxënësve. Në të gjitha kontrollet dhe inspektimet e instancave të larta të arsimit mori vlerësimin e merituar: “Profesor i matur, i urtë, këmbëngulës, gjakftohtë. Lëndën e zotëron shumë mirë, mësimin e paraqet mjaft metodikisht dhe sjell përfundimet e duhura”. Në konkurset kombëtare nxënësit e tij dilnin të parët.

I pajisur me dije të thella shkencore njohu dhe e kuptoi realitetin shqiptar në zhvillimet më të rëndësishme historike.

Në vitin 1942, mësuesi dhe drejtori i Normales së Elbasanit, Profesor Aleksandër Xhuvani botoi studimin për sistemin e lashtë arsimor greko-romak, ku veçonte një detaj shumë të rëndësishëm e tepër domethënës: betimin e nxënësve efebë 18 vjeçarë të Greqisë së Lartë: “Do të luftoj për vatrën time vetëm e me shokë… nuk do të lë që të dobësohet Atdheu, por do ta lë më të fuqishëm se e mora”. Kjo ishte edhe kauza e punës dhe e jetës e Mësuesit të Popullit, Rexhep Shpendi në shërbim të popullit e të Kombit të tij.

Kontrolloni gjithashtu

Iliriana Koleka: Sot eshte 7 korrik e kujtoj me mall e respekt te madh tim ate, Spiro Koleken,1908 – 2001

Ishte nje njeri i jashtezakonshem per nga vullneti, vlerat morale e mbi te gjitha nga …