Fjala e kryetarit të komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi në në 28-vjetorin e përjetësimit të heroit Naser Krasniqi
KOHA NUK E ZBEH LAVDINË
Të nderuar familjarë të dëshmorëve, të respektuar familjarë të dëshmorit të kombit Naser Krasniqi, invalidë e veteranë të luftës, të nderuar të pranishëm,
Për dëshmorët nuk ka nevojë të thuhen fjalë të mëdha, sepse jeta dhe veprat e tyre janë treguesit më të mirë të përmasës së tyre.
Me Naserin jemi njohur që në fëmijëri, jo vetëm se ishim miq të hershëm me familjen tij, por se ai të bënte për vete që në takimin e parë dhe lojërat e argëtimet i kishte cilësi të karakterit.
Ishte mikpritës, shumë njerëzor, këmbëngulës, sakrifikues. Nuk nxitonte të merrte vendime të ngutshme, por përherë e bënte gjënë e duhur. E donin të rinjtë dhe më të mëdhenjtë, sepse ishte i ndershëm dhe i sinqertë. Duke qenë i tillë u inkuadrua pa u hamendur në radhët e LKÇK-së. Bashkëvepronte me kushërinjtë e tij të besuar Ruzhdiun e Haxhiun dhe Qemajlin e vëllanë Sadikun.

Arritja e marrëveshjes UÇK- LKÇK në fshatin Açarevë të Drenicës, më 11 maj 1998, për bashkimin e potencialeve materiale e njerëzore në luftën e madhe për liri, e gjeti Naserin dhe njësitin i parë ilegal bashkë me shokët në vijën e zjarrit në Drenoc. Ishte i përkushtuar dhe armën e mbante të pastër dhe gjithmonë i gatshëm për ta përdorur kundër armikut. Sa herë që kërkoheshin vullnetar për ta kryer ndonjë veprim luftarak, Naseri, i njohur me nofkën Leka, ishte ndër të parët, sepse e kishte përvojën e fituar gjatë kohës sa ishte pjesë e grupit të furnizimit me armë nga zona kufitare. I shkathët dhe i zgjuar, prandaj ofronte siguri për shokët e grupit, sepse Naseri dinte ku ta hidhte hapin. Mbeti shembull për bashkëluftëtarët edhe në ditën e rënies në fushë të nderit, më 4 qershor 1998.
Rënia e tij i tronditi shokët e bashkëluftëtarët, por jo edhe prindërit e tij. Ata e dinin se i biri kishte hyrë në rrugën e madhe të lirisë dhe se luftëtari i lirisë do të ndeshet me vdekjen diku. Naseri u përball burrërisht dhe nuk e koriti derën e madhe të Hoxhëve. Ata e dinin se liria ka çmim të lartë, çmim që duhet të paguhet nga ata që janë më të ndershëm, më të përkushtuar dhe më të devotshëm. I biri i tyre e kishte marrë vendimin e duhur, sepse flijimet gjithmonë i bëjnë ata që e duan lirinë e atdheun më shumë se jetën e tyre, prandaj e përballuan me dinjitet e krenari rënien e Naserit. Vargut të dëshmorëve më pas do t’i bashkohen edhe kushëriri i tij Sahiti më 29 janar 1999, Visar Hoti dhe Safet Latifi, më 18 prill 1999, ndërsa Islam Rexhep Krasniqi, i lindur dhe i rritur në Ratkoc, do të bie dëshmor më 24 maj 1999. Pra, shihet qartë shpirti vetëmohues i Naserit, i cili para së gjithash vuri gjakun e vet në themelet e lirisë tonë. Prandaj, ky popull do t’i jetë përherë mirënjohës dhe do ta kujtojë si një nga heronjtë e lavdishëm të kësaj toke të larë me gjak dëshmorësh e martirësh.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit Naser Krasniqi!