Kandidati për deputet, Eman Rrahmani, ka kritikuar ashpër prioritetet e Qeverisë Kurti në sektorin e sigurisë, duke pretenduar se investimet në infrastrukturë dhe pajisje nuk po e zgjidhin problemin kryesor largimin e vazhdueshëm të ushtarëve dhe policëve nga shërbimi. Përmes një video-mesazhi, Rrahmani tha se ekzekutivi po krenohet me investime në objekte, automjete dhe pajisje, ndërkohë që qindra pjesëtarë të forcave të sigurisë po heqin dorë nga uniforma për shkak të kushteve të vështira të punës dhe mungesës së mbështetjes institucionale. “Çfarë vlere kanë investimet në ndërtesa, pajisje e automjete, kur njerëzit që duhet t’i përdorin ato po largohen çdo ditë?”, ka deklaruar ai. Sipas Rrahmanit, gjatë periudhës 2021–2024, gjithsej 727 pjesëtarë të uniformuar kanë dhënë dorëheqje vullnetare. Ai pretendon se arsyet kryesore lidhen me pagat e ulëta, mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor, orët e gjata të punës pa kompensim adekuat dhe mungesën e zgjidhjeve për pensionimin e parakohshëm. “Një shtet nuk mbrohet me aktivistë të financuar nga buxheti. Një shtet mbrohet me ushtarë e policë të motivuar, të respektuar dhe të paguar dinjitetshëm”, u shpreh Rrahmani. Ai shtoi se prioritet i një qeverie serioze duhet të jetë ruajtja dhe fuqizimi i personelit që mban barrën e sigurisë së vendit, duke paralajmëruar se largimi i vazhdueshëm i pjesëtarëve të uniformuar mund të ketë pasoja afatgjata për kapacitetet e sigurisë së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
