Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse ta trajtojë si një prioritet strategjik kombëtar. Reagimi i OEAK-së vjen pas editorialit të së ngarkuarës me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e cila një ditë më parë u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shfrytëzojnë mundësinë për qasje në gazin amerikan. Sipas Odës Amerikane, përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, orientimi drejt gazit amerikan do të forconte edhe më tej partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në deklaratë theksohet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike mbetet një barrë e konsiderueshme për ekonominë e vendit. Po ashtu, OEAK vlerëson se rritja e kërkesës për energji, remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese dhe luhatjet në tregjet energjetike e bëjnë të domosdoshëm diversifikimin e burimeve të furnizimit. Oda Amerikane thekson se sfida kryesore për Kosovën nuk është më sigurimi i furnizimit me gaz, por gatishmëria për ta shfrytëzuar atë përmes investimeve në infrastrukturë, modernizimit të kornizës ligjore dhe rregullatore, si dhe thellimit të bashkëpunimit me partnerët strategjikë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
