Protestë para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut, studentët kërkojnë respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve

Prishtina u bë të premten zëri i solidaritetit me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, dhjetëra studentë dhe qytetarë u mblodhën në një protestë paqësore për të kundërshtuar mohimin e së drejtës së studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe. Nën sloganin “Gjuha shqipe nuk negociohet”, protestuesit përcollën mesazhin se përdorimi i gjuhës amtare në arsim dhe në proceset profesionale nuk mund të trajtohet si privilegj, por si një e drejtë themelore e garantuar me ligj. Përfaqësuesit studentorë theksuan se debati i hapur rreth mundësisë së dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe paraqet një kthim prapa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata kërkuan që institucionet atje të respektojnë parimet e barazisë dhe të zbatojnë në praktikë të drejtat gjuhësore të komunitetit shqiptar. Në protestë nuk munguan as simbolikat kombëtare. Flamujt dhe pankartat me mesazhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe shoqëruan thirrjet për respektimin e identitetit dhe dinjitetit të shqiptarëve, ndërsa studentët theksuan se gjuha është pjesë e pandashme e identitetit kombëtar. Protesta në Prishtinë vjen pas demonstratave të organizuara javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut, ku studentët shqiptarë kërkuan të drejtën për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Me këtë tubim, studentët e Kosovës dërguan një mesazh të qartë se çështja e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve përtej kufirit nuk është vetëm një debat administrativ, por një kauzë që prek drejtpërdrejt barazinë, përfaqësimin dhe respektimin e identitetit kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 100 prokurorë do të monitorojnë zgjedhjet e 7 qershorit, Prokuroria fton qytetarët të raportojnë parregullsitë

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbrojtjen …