Faton Mehmetaj: Ndërron jetë ish-luftëtari i UÇK-së dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Faik Dodaj

Me pikëllim të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesor Faik Dodaj, një personalitet i njohur i arsimit, luftës çlirimtare dhe angazhimit kombëtar. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur bashkëluftëtari dhe miku i tij i kahershëm, Faton Mehmetaj, i cili përmes një mesazhi prekës kujtoi kontributin shumëvjeçar të Dodajt në shërbim të atdheut. Faik Dodaj ishte një nga figurat e respektuara të luftës së UÇK-së. Ai do të kujtohet si komandant në zonën e Baballoqit, si pjesëtar i Shtabit të Gllogjanit dhe si një nga veprimtarët që ia kushtoi jetën lirisë dhe çështjes kombëtare. Përveç rolit të tij në luftë, Dodaj la gjurmë të thella edhe në arsim dhe në jetën shoqërore, duke edukuar breza të tërë nxënësish dhe duke fituar respektin e kolegëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër. “E gjithë jeta e Faikut ishte në shërbim të atdheut. Ai la gjurmë të pashlyeshme te miqtë e shokët, te nxënësit e kolegët, te bashkëluftëtarët dhe te të gjithë ata që e njohën dhe rrugëtuan me të”, ka shkruar Mehmetaj në mesazhin e tij të lamtumirës. Ndarja nga jeta e profesor Faik Dodajt lë një boshllëk të madh në familje, te miqtë dhe bashkëluftëtarët e tij, por emri dhe vepra e tij do të mbeten pjesë e kujtesës historike dhe e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Lavdi jetës dhe veprës së profesorit dhe luftëtarit të lirisë, Faik Dodaj.

Kontrolloni gjithashtu

BE shpërndan 158.9 milionë euro për Ballkanin Perëndimor nga Plani i Rritjes

Komisioni Evropian ka miratuar një pagesë të re prej 158.9 milionë eurosh në kuadër të …