Njohësi i proceseve zgjedhore nga KDI, Eugen Cakolli, ka paraqitur disa nga skenarët e mundshëm pas numërimit të votave të diasporës, duke theksuar se shpërndarja e mandateve mund të pësojë ndryshime të rëndësishme. Cakolli tha se në skenarin më të favorshëm për Lëvizja Vetëvendosje, kjo parti mund të fitojë deri në pesë mandate shtesë nga diaspora. Sipas tij, këto mandate do të merreshin nga partitë opozitare, përkatësisht dy nga Partia Demokratike e Kosovës, dy nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Megjithatë, ai vlerësoi se tradicionalisht Vetëvendosje siguron rreth 65 deri në 70 për qind të votave të diasporës, çka do ta çonte subjektin në rreth 52 deputetë në Kuvend. “LVV nuk është që performon më mirë se 65% në diasporë. Në rast se mbetet aty, VV mbetet me 52 deputetë, PDK me 22, LDK me 19 dhe AAK me 7”, deklaroi Cakolli. Sipas tij, ndryshimi që duket pothuajse i sigurt pas numërimit të votave nga jashtë vendit është humbja e një mandati nga AAK-ja, ndërsa balanca përfundimtare mes partive të mëdha do të varet nga rezultati i diasporës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
