Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka sqaruar hapat proceduralë që pritet të ndiqen pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë. Kryeziu tha se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës, për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë dhe në fund zgjedhjen e Presidentit. “Proceduralisht mendoj që për të pasur legalitet dhe legjitimitet të plotë duhet të konstituohet parlamenti, pastaj qeveria dhe më vonë vjen edhe presidenti”, tha ai. Sipas tij, rendi institucional është i domosdoshëm për funksionimin normal të shtetit, duke theksuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet plotësisht legjitim pa Qeverinë në funksion. “Së pari duhet parlamenti, kryetari i parlamentit, qeveria dhe pastaj krijohet një legjitimitet dhe legalitet i plotë i parlamentit”, u shpreh Kryeziu. Ai shtoi se në rastin aktual, për shkak të situatës me president ushtrues detyre, procesi institucional duhet të përmbyllet brenda afateve kushtetuese prej rreth dy muajsh pas zgjedhjeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
