Jonathan Hargreaves: Pas certifikimit të zgjedhjeve, partitë duhet të krijojnë institucionet

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje që partitë politike të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të formojnë institucionet e vendit menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Gjatë një vizite në Qendrën e Numërimit të Votave në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Hargreaves u shpreh i impresionuar nga puna dhe përkushtimi i ekipeve të numërimit dhe vëzhguesve, si dhe nga masat e reja të transparencës të zbatuara në procesin zgjedhor. Në këtë vizitë, ambasadori britanik ishte i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, dhe ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova. “U bashkova me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, dhe me ushtruesen e detyrës së shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, në një vizitë në qendrën e numërimit të votave në Prishtinë. U impresionova nga angazhimi i ekipeve të numërimit dhe vëzhguesve dhe u interesova për masat e reja të transparencës që janë futur në fuqi. Sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, do të jetë koha që partitë politike të bëjnë pjesën e tyre dhe të krijojnë institucionet”, ka deklaruar Hargreaves. Deklarata e ambasadorit britanik vjen në një kohë kur procesi i numërimit të votave është në fazën përfundimtare, ndërsa pritet certifikimi zyrtar i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, hap që do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Hagë kanë nisur deklaratat përfundimtare në rastin ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve për administrimin e drejtësisë

Në Hagë, sot ka nisur faza e deklaratave përfundimtare në rastin ku ish-presidenti i Kosovës, …