Specialja nuk merr pjesë në prezantimin e raportit të ekspertëve britanikë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

Specialja nuk merr pjesë në prezantimin e raportit të ekspertëve britanikë që ngriti shqetësime për funksionimin e saj

Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) po prezanton sot në Hagë gjetjet e raportit të tij mbi funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Raporti ishte iniciuar pas një kërkese të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës dhe u publikua disa javë më parë.

Aktiviteti po organizohet me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në Hagë dhe u hap nga ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli. Në takim po marrin pjesë përfaqësues të korit diplomatik, ekspertë dhe aktorë të tjerë të interesuar.

Megjithëse raporti trajton drejtpërdrejt punën dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara, përfaqësues të kësaj gjykate nuk morën pjesë në ngjarje, ndonëse, sipas organizatorëve, ishin ftuar.

Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, shprehu keqardhjen për mungesën e përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara.

“Do të doja që Dhomat e Specializuara të ishin këtu dhe nuk e di pse nuk kanë ardhur”, deklaroi Qelaj para të pranishmëve.

Ai theksoi se raporti i BHRC-së është hartuar në mënyrë të pavarur dhe se Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka ushtruar asnjë ndikim mbi përmbajtjen apo përfundimet e tij.

Raporti i ekspertëve britanikë ka ngritur një sërë çështjesh dhe shqetësimesh lidhur me aspekte të funksionimit të Dhomave të Specializuara, të cilat po diskutohen në kuadër të prezantimit të sotëm në Hagë.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj kërkon nga qeveria e ardhshme që “pika e parë” të jetë gazi amerikan dhe termocentrali i ri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Daut Haradinaj ka deklaruar se kushdo që e …