Sot, teksa shënojmë 27 vjetorin e Çlirimit të Hanit të Elezit, kujtojmë me nderim dhe krenari sakrificën, qëndresën dhe kontributin e të gjithë qytetarëve tanë, të cilët në forma të ndryshme dhanë gjithçka për lirinë që sot e gëzojmë.
Rruga drejt kësaj dite ishte e vështirë dhe e dhimbshme. U derdh shumë gjak, u bë shumë sakrificë dhe popullata jonë u dëbua me dhunë nga trojet e veta. Por, falë luftës së përbashkët dhe unitetit të popullit tonë, të frymëzuar nga qëndresa heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë ndërkombëtarë, NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova arriti të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga okupatori serb dhe të fitojë lirinë e saj.
Pas largimit të forcave pushtuese serbe nga territori i Hanit të Elezit, ushtarët e UÇK-së të Brigadës 164 “Gafurr Loku” ishin ndër të parët që u uruan mirëseardhje forcave të NATO-s në Kosovë, në mëngjesin historik të 12 Qershorit 1999.
Të nderuar qytetarë, familje të dëshmorëve, bashkëluftëtarë e bashkëvendas,
Hani i Elezit, edhe pse një vend i vogël në numër, dha një kontribut të madh për lirinë e trojeve shqiptare. Nga ky vend ranë 15 dëshmorë, pati civilë të vrarë, dhjetëra të plagosur dhe një Brigadë me mbi 500 ushtarë që luftuan me guxim në të gjitha frontet e luftës, në tri luftëra çlirimtare.
Lavdi e përjetshme Heronjve, Dëshmorëve dhe Martirëve të Kombit!
Nderim dhe respekt për invalidët, veteranët e luftës dhe për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe shtetin që gëzojmë sot.
Me respekt, Rufki Suma, ish komandant i Brigadës 164 “Gafurr Loku” në Han të Elezit
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
