Ndahet nga jeta, Sahit Jashari, njëri ndër themeluesit dhe luftëtarët e parë të UÇK-së

Komuna e Skenderajt njofton me dhimbje të thellë se ka ndërruar jetë Sahit Jashari, një ndër bashkëluftëtarët më të hershëm të Komandantit Legjendar Adem Jashari, ndër themeluesit dhe ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jeta dhe veprimtaria e Sahit Jasharit janë të lidhura ngushtë me periudhat më të rëndësishme të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. Si pjesë e gjeneratës së parë të luftëtarëve të UÇK-së, ai dha kontribut të çmuar në rrugën e lirisë dhe të çlirimit të vendit, duke mbetur gjithmonë shembull i përkushtimit, guximit dhe atdhedashurisë.

Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen Jashari, për bashkëluftëtarët, për Skenderajn dhe për gjithë Kosovën.

Komuna e Skenderajt shpreh respektin dhe mirënjohjen e saj të përhershme për kontributin e Sahit Jasharit në shërbim të lirisë së Kosovës dhe të idealeve për të cilat ai veproi gjatë gjithë jetës së tij.

Në këto çaste të rënda, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, farefisit, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë dhimbjen për humbjen e tij.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në ora 16:00 në varrezat e lagjes Jashari në Prekaz, ku familjarë, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë do t’i japin lamtumirën e fundit ish-Komandantit të UÇK-së.

Ndërkaq, e pamja do të mbahet më 13 dhe 14 qershor, nga ora 08:00 deri në 16:00, në Palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, ceremonia mortore do të organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku.

Kontrolloni gjithashtu

Në kuadër të “Ditëve të Kulturës” u promovuan dy veprat më të reja të prof. dr. Sylë Ukshinit

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Ferizajt, në bashkëpunim me Klubin Letrar …