Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, aktualisht numëron 4.657 ushtarë nga 31 shtete, duke mbetur një nga garantuesit kryesorë të sigurisë në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, kontingjentin më të madh e ka Italia me 907 trupa, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 590 ushtarë, Hungaria me 408 dhe Turqia me 382 trupa. Shqipëria kontribuon me 126 ushtarë, ndërsa Maqedonia e Veriut me 70.
Në 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali Alexus G. Grynkewich, deklaroi se NATO do të përshtatë gradualisht numrin e trupave të KFOR-it gjatë vitit të ardhshëm, duke vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar.
Megjithatë, NATO theksoi se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë dhe se çdo ndryshim do të bëhet në mënyrë graduale dhe mund të rishikohet nëse situata në terren e kërkon.
KFOR-i, i vendosur në Kosovë që nga viti 1999, vazhdon të ketë rol kyç në ruajtjen e sigurisë, veçanërisht në veri të vendit dhe përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa NATO ritheksoi mbështetjen e saj për dialogun Kosovë–Serbi dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
