Kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti partiak nëse Partia Demokratike e Kosovës arrin një marrëveshje bashkëpunimi ose koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje. Lushtaku e cilësoi të papranueshëm një bashkëpunim të tillë politik, duke argumentuar se Vetëvendosje ka ndërtuar veprimtarinë e saj mbi një gjuhë përçarëse dhe degraduese ndaj kundërshtarëve politikë. “Nëse Partia Demokratike e Kosovës arrin marrëveshje ose lidh koalicion me LVV-në, unë automatikisht jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj. Ata e dinë më mirë, janë kryesia e partisë, por për mua është e papranueshme bashkëpunimi me një subjekt politik që gjuhën helmuese e ka në rend të parë”, ka deklaruar Lushtaku. Deklarata e tij vjen në një kohë kur në skenën politike vazhdojnë diskutimet mbi mundësitë e krijimit të shumicës parlamentare, ndërsa raportet mes PDK-së dhe Vetëvendosjes mbeten të tensionuara. Qëndrimi i tij konsiderohet një mesazh i qartë kundër çdo mundësie të afrimit politik mes dy partive rivale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
