Gjykata speciale në Hagë kanë publikuar një video sqaruese në platformën “X”, duke mbrojtur integritetin e proceseve gjyqësore dhe bazën ligjore mbi të cilën funksionon kjo gjykatë. Në video, zëdhënësi i gjykatës speciale, Michael Doyle, thekson se veprimtaria e gjykatës mbështetet në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në Kushtetutën e Kosovës. Ai nënvizoi se palët që konsiderojnë se të drejtat e tyre janë cenuar ose se procedurat nuk po zhvillohen në përputhje me ligjin, kanë mundësi t’u drejtohen instancave më të larta brenda sistemit të gjykatës përfshirë Gjykatën Supreme dhe Gjykatën Kushtetuese. Reagimi i Speciales vjen në një kohë kur debati rreth proceseve gjyqësore në Hagë është intensifikuar pas publikimit të një raporti nga ekspertë britanikë, në të cilin janë ngritur shqetësime dhe janë evidentuar një sërë pretendimesh për shkelje procedurale dhe cenim të standardeve të gjykimit të drejtë. Megjithëse Gjykata nuk e përmendi drejtpërdrejt raportin në njoftimin e saj, koha e publikimit të videos është parë si një përgjigje ndaj kritikave në rritje për mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata e Gjykatës speciale në Hagë synon të riafirmojë se mekanizmat e mbikëqyrjes dhe ankesave ekzistojnë brenda vetë sistemit gjyqësor të Hagës, ndërsa debati për drejtësinë dhe standardet e proceseve mbetet i hapur në opinionin publik dhe politik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
