Mark Rutte: NATO do të zvogëlojë praninë e KFOR-it në Kosovë, siguria është përmirësuar ndjeshëm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se Aleanca planifikon të reduktojë gradualisht praninë e misionit të KFOR-it në Kosovë, duke e lidhur këtë vendim me përmirësimin e situatës së sigurisë në vend. Duke folur në Bruksel para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, Rutte tha se zhvillimet gjatë vitit të kaluar kanë treguar një stabilizim të përgjithshëm të gjendjes së sigurisë në Kosovë, gjë që sipas tij përbën një lajm pozitiv për vendin. Ai rikujtoi se NATO-ja kishte ndërprerë që në janar dislokimin e forcave rezervë në Kosovë, pas dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm të trupave shtesë të angazhuara për shkak të tensioneve në veri. Sipas Ruttes, NATO po shqyrton mënyrën më të mirë për të përshtatur praninë e saj ushtarake me realitetin e ri në terren. Ai bëri të ditur se nga rreth 4.700 trupa sa numëron aktualisht KFOR-i, synimi është kthimi në nivelet që ekzistonin para vitit 2023, me një forcë prej rreth 3.000 deri në 3.500 ushtarësh. Megjithatë, shefi i NATO-s theksoi se çdo vendim do të varet nga zhvillimet në terren dhe nga vlerësimet e vazhdueshme të sigurisë. Ai siguroi se, pavarësisht reduktimit të mundshëm të trupave, KFOR-i do të vazhdojë të mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj mandatit të tij për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës. Deklaratat e Ruttes vijnë vetëm pak ditë pasi edhe gjenerali amerikan Alexus Grynkewich paralajmëroi një “optimizim” të misionit të KFOR-it, duke sinjalizuar se NATO po hyn në një fazë të re të menaxhimit të pranisë së saj ushtarake në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Bllokada në Kuvend rrezikon Kosovën të humbasë rreth 60 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Bllokada institucionale në Kuvendin e Kosovës po rrezikon seriozisht zbatimin e reformave të parapara në …